Morata pritet të largohet nga Juve, Xavi e dëshiron te Barça
Alvaro Morata pritet të largohet nga Juventusi në fund të sezonit dhe sipas raportimeve në Itali, Barcelona mund t’i ofrojë atij një marrëveshje.
Juventusi shpenzoi 20 milionë euro për huazimin dy-vjeçar të sulmuesit, por gjigantët e Serisë A nuk kanë gjasa ta bëjnë lëvizjen e tij të përhershme për 35 milionë euro të tjera. Prandaj, spanjolli pritet të kthehet në Atletico Madrid në fund të sezonit, duke e ditur se ai nuk është në planet e Diego Simeone. Sipas “Calciomercato.com”, trajneri i Barcelonës, Xavi është një admirues i ish-lojtarit të Real Madridit dhe katalanasit mund t’i ofrojnë atij një rrugë shpëtimi në fund të sezonit.
Morata do ta mbyllë sezonin në Torino përpara se të marrë një vendim për klubin e tij të ardhshëm. Kjo është periudha e dytë e spanjollit në Torino. Ai fillimisht iu bashkua Juventusit në një transferim të përhershëm nga Real Madrid në vitin 2014, por ‘Merengues’ aktivizuan një klauzolë blerjeje për ta kthyer atë në “Bernabeu” dy vjet më vonë.
Morata u kthye në Juventus në vitin 2020 në formë huazimi me një opsion blerjeje. Ai ka shënuar shtatë gola në 23 paraqitje këtë sezon.



