T’i kujtojmë përherë ata që u flijuan për lirinë tonë

30 janar 2022 | 18:18

Shkruan: Lulzim Nika

Drenica me historinë e lavdishme të rezistencës dhe luftës për liri, ndër shekuj do të dëshmonte se ishte vatër e përhershme e rezistencës dhe lirisë.

Qytetarët e komunës së Drenasit para 32 vitesh, iu bashkuan protestave masive anë e kënd Kosovës kundër aparteidit dhe gjenocidit, ndërsa Drenasi ishte përzgjedhur nga Njësia speciale jugosllave për ta ushtruar terrorin shtetëror.

Historia atë ditë kishte përzgjedhur Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën të ishin martirët e patrembur kundër njësive okupatore, të cilave ua bënë me dije se kjo tokë nuk duronte robërinë. Ata, me guximin e tyre u bënë pjesë e pavdekshme e historisë dhe lirisë tonë.

Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët mbi barrikada së bashku me mijëra demonstrues u ballafaquan me forcat e njësisë speciale të ish shtetit okupator jugosllav. Ata ranë dëshmorë në rrugën e cila do të shpinte drejt çlirimit të vendit, në rrugën e nderit dhe lavdisë.

I përjetshëm është kujtimi për Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën!


P.s. Foto nga përvjetori i parë i homazheve për dëshmorët!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë qytetarë shqiptarë ndërruan jetë sot si pasojë e Covid-19…