Nagavci, SBAShK-ut: Nuk është koha për grevë
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci, ka thënë se aktualisht nuk është koha për greva të cilët janë paralajmëruar nga SBAShK-u.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë dhe grevat e protestat janë të panevojshme për shkak të humbjeve në mësim të nxënësve.
Më tutje, ajo është shprehur se bashkë me mësimdhënësit dhe SBAShK-un duhet të japin maksimumin për të përmirësuar rezultatet në arsim.
Të shtunën kryetari SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka marrë për herë të tretë mandatin si kryetar i kësaj sindikate dhe ka paralajmëruar protesta më 8 prill dhe pastaj grevë pas 20 prillit.
“Unë nuk besoj që është koha për greva. Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë. Humbjet tek nxënësit kanë qenë të mëdha, kështu që besoj që bashkë me të gjithë mësimdhënësit dhe SBAShK-un duhet të japin maksimumin për fëmijët tanë. Ka shumë nevojë për përmirësim të rezultateve në arsim”, ka thënë Nagavci.
SBAShK-u është duke kërkuar që deri në miratim të Ligjit të pagave punëtorëve të arsimit t’u shtohen 100 euro në pagë.



