Gjykata e Pejës cakton një muaj paraburgim për ish-burrin e Arlinda Zekajt
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sylaj ishte ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit nga i dyshuari- kunati i saj pak pasi kishte lajmëruar Jeton Sylajn në Polici për dhunë në familje.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake, Selvije Morina Zejnaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj të pandehurit J.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, në përputhje me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, të KPPRK-së. Masa e paraburgimit llogaritet nga data 25.10.2026, në ora 20:00, deri me 24.11.2026, në ora 20:00”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të aktvendimit. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit nëpërmjet Gjykatës Themelore në Pejë.



