Gashi e propozon Konjufcën për kryetar të Komisionit Hetimor
Pushteti dhe opozita po afrohen pak drejt një dakordimi për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjet e energjisë elektrike. Kjo pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca e solli një interpretim të zyrës ligjore të Kuvendit për këtë çështje.
Edhe me një interpretim të deputetes Doarsa Kica, gjërat u bënë më të mundura.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka propozuar Konjufcën për kryetar të këtij komisioni, pas diskutimeve se kush do të duhej ta udhëhiqte atë.
“Unë propozoj që kryetar i këtij komisioni të jetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Faleminderit”, ka thënë ai.
Paraprakisht, Gashi, i cili në fillim të seancës paralajmëroi përplasje ndërsa e quajti jokushtetuese përpjekjen e pozitës për formimin e një komisioni hetimor parlamentar.
Pushteti dhe opozita janë duke diskutuar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LV-ja ka ardhur me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.



