Kurti i kërkon njohjen Athinës, shefja e zyrës greke: Greqia, mike e sinqertë e Kosovës

03 maj 2022 | 13:20

Kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë kërkesë Kurti ia ka bërë shefes së Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali, në takimin që e kishte sot.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim njoftues shefen e Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, znj.Heleni Vakali. Teksa i dëshiroi mirëseardhje znj. Vakali, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të tyre nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve.  Kryeministri Kurti kërkoi që Greqia t’ju bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Në këtë komunikatë është thënë se në takim, ambasadorja Vakali ka thënë se Greqia edhe pse ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ka arritur të zhvillojë marrëdhënie bilaterale.

“Ambasadorja Vakali tha se është e nderuar për detyrën që ka marrë dhe se Greqia është mike e sinqertë dhe e fuqishme e Kosovës. Edhe pse ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Greqia ka arritur të zhvillojë marrëdhënie bilaterale pa kurrfarë problem, theksoi znj. Vakali. Ajo u shpreh e impresionuar me potencialin e madh që ka Kosova dhe mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunimin bilateral. Ambasadorja e vlerësoi angazhimin e qeverisë për vlera demokratike dhe për rezultatet në luftimin e korrupsionit”, është thënë në këtë komunikatë.

Kryeministri Kurti dhe ambasadorja Vakali janë pajtuar që duhet të vazhdojnë projektet e përbashkëta në arsim e kulturë dhe në organizimin e radhës të forumit ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kryetari i Partisë…