Osmani në Lituani: Presidenti Nauseda e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Në këtë konferencë, Osmani e ka falënderuar homologun lituanez për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
“Mendoj se ju pajtoheni se këto vlera janë të kërcënuara nga Rusia, jo vetëm në Ukrainë, por edhe më gjerë. Udhëkryqi ku gjendemi do ta definojë Evropën për vitet e ardhshme. Zotëri president, sot, gjatë takimit kemi diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO-s e BE-së dhe ju falënderojë për përkrahjen që na keni dhënë, si dhe për shtetndërtimin e Kosovës ne jemi falënderues”, ka thënë Osmani.
Ajo është shprehur se Kosova ka qëndruar përkrah shteteve perëndimore në sanksionet ndaj Rusisë për dallim nga Serbia e cila është shteti i vetëm në Evropë që s’ka vënë sanksione ndaj Rusisë.
“Si një ish-refugjate dhe presidente e popullit që ka qenë pothuajse tërësisht i zhvendosur nga shtëpitë e tyre solidarizohemi me popullin e Ukrainës. Lufta në Kosovë ka qenë dy dekada më parë dhe plagët tona janë ende të hapura, ne e kuptojmë dhimbjen e Ukrainës dhe Kosova qëndron me perëndimin në sanksionet ndaj Rusisë. Fatkeqësisht Serbia qëndron përkrah Rusisë si shteti i vetëm në Evropë që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe i përkrahë satelitët e saj destabilizues në rajon”, është shprehur Osmani.



