Përkujtohet heroi Astrit Berisha
Heroi i Kosovës, Astrit Berisha është kujtuar e nderuar në përvjetorin e rënies në krye të detyrës.
Astriti me familjen dhe bashkëvendësit nga fshati Ruhot i Pejës ishin ndër të parët që u renditen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë ndër pikat më të forta dhe kundërshtuese për armikun serbosllavë.
I pranishëm në nderime të heroit Astrit Berisha ishte edhe doktori i luftës dhe ish-kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha. “Në nderim të dëshmorit Astrit Berisha, pinjollit të familjes së nderuar Berisha nga Ruhoti. Nderojmë sakrificën dhe mundin e të gjithë atyre që dhanë më të shtrenjtën për liri. Lavdi!”, ka thënë Berisha.
Astrit Berisha pas përfundimit të luftës e vazhdon rrugëtimin ushtarak duke u bërë njëri nga pjesëtarët më të devotshëm në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK). Astriti ashtu siç e mësuan të parët asnjëherë nuk e kurseu vetën kur në pyetje ishte atdheu. Astrit Berisha duke marrë pjesë në rinovimin e kazermës në Istog bie nga lartësia me ç’rast ndërron jetë dhe në këtë mënyrë iu bashkohet në përjetësi shokëve të luftës. Vepra e Astritit dhe dëshmorëve të UÇK-së vazhdojnë të jenë frymëzim për brezat e rinj në Lugun e Drinit dhe mbarë Kosovës.
/Veton ZYMBERI/