Osmani kërkon mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në KE

19 qershor 2022 | 13:29

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me të cilin ka zhvilluar një bisedë përmbajtjesore duke  konfirmuar raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.

Me ministrin truk, presidentja Osmani ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Osmani dhe Çavusoglu, kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç’rast, presidentja e Kosovës ka potencuar se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdogan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE)”.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Osmani.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe më tutje, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar një listë të…