Verstappen: Këtë vit kam pasur fat, por kam makinën e duhur
Në prag të rikthimit të garave të Formula 1, që këtë fundjavë spostohen në pistën belge të SPA, ka folur për mediet piloti holandez Max Verstappen.
Ai nuk shqetësohet nga pakënaqësitë që kanë fansat e ndryshëm në lidhje me betejën që ai ka pasur me Lewis Hamilton apo me duelin aktual ndaj Charles Leclerc.
“Secili ka personalitetin e tij dhe kjo vlen si për mua ashtu dhe për pilotët e tjerë. Unë shqetësohem për gjërat përreth meje, përqendrohem te puna ime, për të fituar çdo garë. Mua më pëlqen të garoj, të fitoj edhe pse në sportin tonë shpesh duhet edhe fati për t’ia dalë mbanë”, ka thënë holandezi i Red Bull.
“Këtë vit kam pasur fat, por kam makinën e duhur dhe njerëzit e duhur përreth meje, që bëjnë të mundur që gjithçka të funksionojë ashtu si duhet. Ky është një sport mjaft i vështirë, kërkon shumë përqendrim dhe gjithnjë shpreson që gjërat të shkojnë ashtu si duhet”, ka shtuar Max Verstappen.



