Tahiri: Vendimi i qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, skandaloz
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se është i papranueshëm dhe skandaloz vendimi i Qeverisë së Kosovës për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve për muajin shtator.
Tahiri ka thënë se me ndalimin e pagave të shtatorit, qeveria ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve.
“E padurueshme! Skandaloze! Me ndalimin e pagave të shtatorit, qeveria ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve. Po ashtu, ndalimi i pagave është cenim i drejtpërdrejtë i mirëqenies dhe ekonomive të familjeve të mijëra mësimdhënësve”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Më tutje, ai ka thënë se t’ju ndalen pagat mësimdhënësve vetëm përse kanë kërkuar një të drejtë minimale është e pafalshme.
“Të premten e kemi ftuar për interpelancë ministrin Murati, por vazhdimi i kësaj gjendje edhe për një orë, është vazhdim i turpit nga kjo qeveri! Në prag të dimrit t’i ndalen pagat mësimdhënësve vetëm se kanë kërkuar një të drejtë minimale, është e pafalshme”, ka shkruar Tahiri.



