U detyrova të luftoj për Bosnjën, ndaj e di se ukrainasit mund të fitojnë
Nga: Faruk Šehić, poet dhe romancier boshnjak / The Guardian (titulli origjinal: I had to fight for Bosnia. That’s how I know Ukrainians can win, and they will rebuild)
Përktheu: Agron Shala
Ndale cilindo person në rrugë, në Sarajevë, dhe pyete se çka mendon për luftën në Ukrainë. Do të të thotë se mendon se gati gjithçka çfarë ndodhi me luftën në Bosnje-Hercegovinë, tashti po përsëritet në Ukrainë.
Në prill e kemi përkujtuar 30-vjetorin e luftës kundër Bosnjës dhe Hercegovinës. Fillimin e prillit të vitit 1992 e vlerësojmë si momentin kur nisi epoka e re: kishim periudhën para, gjatë dhe pas katastrofës.
Një muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, vërejta se si ukrainasit nisën ta përdorin shprehjen “para lufte”. Kaluam nëpër gjithçka që po ndodhë sot me ta, por askush nuk po na pyet për këtë, ose nuk dëshiron që ne të ndihmojmë.
Lufta të shtyn të fillosh ta shohësh jetën dhe vdekjen më ndryshe. Para “luftës sonë të vogël” (frazë ironike të cilën e përdor në veprat letrare), doja të bëhesha poet dhe shkrova poezi ultra-metaforike dhe të pakuptueshme. Pas luftës isha i përkushtuar të shkruaja sa më qartë dhe më saktë, sidomos për ngjarjet e luftës. Atëherë u bëra shkrimtar. Lufta ishte përshpejtues gjigant në këtë proces.
Në një artikull të kohëve të fundit, për Paris Review, Ilya Kaminsky citoi poeten ukrainase Daryna Gladun, se si ngjarjet në Ukrainë kishin ndryshuar shkrimin e saj: “I kam lënë mënjanë metaforat, për të folur për luftën me fjalë të qarta”, ka thënë ajo, “në mënyrë që lexuesit anembanë botës të preken nga cinizmi, nga mizoria dhe nga pashmangshmëria e luftës që Rusia solli në Ukrainë”. Një numër poetësh në Sarajevë zbuluan se e njëjta gjë ndodhi gjatë rrethimit të këtij qyteti – më të gjatit në historinë e luftës moderne. Poeti i famshëm slloven, Tomaž Šalamun, ka thënë një herë se ndaloi së shkruari poezi gjatë tërë luftës në Bosnje.
Më 21 prill 1992 nisi sulmi në qytetin tim të lindjes, në Bosnjën e largët perëndimore. Atë kohë isha duke studiuar në Zagreb, por u ktheva në Bosanska Krupë meqë e dija se lufta do të fillojë shumë shpejt: formacionet e rregullta dhe të parregullta serbe, në fillim të prillit nisën sulmin kundër qyteteve të Bosnjës lindore.
Mund t’i shihje qytetet duke u djegur, përgjatë lumit Drina – kufirit natyror mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, edhe pse vendi ende quhej Republika Federative e Jugosllavisë. Por, as shkronja J nuk i mbeti Jugosllavisë, sepse Sllovenia, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina e shpallën pavarësinë dhe u shkëputën prej saj.
Kur erdhi sulmi, isha duke pirë birrë dhe duke dëgjuar muzikë në tarracën e kafenesë Casablanca në Bosanska Krupë. Mbaj mend se veshur kisha xhinset Levi’s, xhaketën me pupla dhe atletet Adidas. Ishte ditë e bukur, por pak pas orës 18:00 nisi sulm i artilerisë. Tek atëherë e kuptova se çfarë do të thotë shprehja “në tmerrin vdekjeprurës “. Militantët e Partisë Demokratike Serbe, të ndihmuar nga forcat e ish-Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, bombarduan qytetin prej kodrave përreth.
As nuk dola vullnetar dhe as nuk jam rekrutuar. Ishim të rrethuar nga forcat armike dhe nuk kishte rrugëdalje prej kësaj zone (më vonë u quajt Xhepi i Bihaqit ose Qarku i Bihaqit), pos nëse do të mund të fluturoje. I kapa armët sepse më dëbuan nga banesa, nga rruga dhe nga lagjja ime. Ndërgjegjja ime më urdhëroi të luftoj.
Për 44 muaj kam luftuar si ushtar e më vonë si oficer, duke e drejtuar – në fund të luftës – një njësit prej 130 vetash në operacionet më të vështira luftarake. Një herë u plagosa rëndë në këmbën e majtë dhe, për të ecur, për gjashtë muaj rresht kisha nevojë për paterica. Dhimbja ishte pak a shumë e durueshme, sepse isha i ri dhe trupi e kishte forcën e çelikut. Atëherë nuk kishim kohë që të mendojmë për tejkalimin e dhimbjes, as për të menduar për veten.
Mbaj mend se duhej të shkoja në tualet me një karrocë të veçantë, që kishte një vrimë në ulëse. Por, u shërova shpejt, u ktheva në repart dhe në të njëjtat detyra që kisha para plagosjes, si komandant i togës prej 30 vetave.
Gjatë luftës, koha kronologjike u ndal së lëvizuri. E mbanim orën në kyçin e dorës, por tregonte një kohë të pakuptimtë. Ishim të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit tonë dhe nga bota e qytetëruar. Ishim pesë orë larg me makinë nga Vjena, të paktën para lufte. Atëherë kemi jetuar thuajse jemi në fundin e botës, kështu që koha ishte e parëndësishme. Brenda nesh kalonte një kohë e re – ajo që llogaritet nga momenti kur jeta jote idilike qytetare përmbyset dhe ti bëhesh refugjat. Pas momenteve të para të tronditjes, u ngutëm ta kapim për qafe mënyrën apokaliptike të jetesës.
Përvoja e luftës nuk është diçka që ti do. Asnjë person i arsyeshëm nuk e do atë. Është rikthim në epokën e gurit dhe në kohën e shkëmbimit me mallra. Në luftë mund ta shisje një furçë dhëmbësh, një pastë dhëmbësh ose një thikë xhepi dhe të mbushesh me para. E bëmë këtë një herë: shkuam në një qytet, shumë prapa linjave të luftës, pimë birrë dhe dëgjuam Whitney Houston-in duke kënduar në MTV këngën I Will Always Love You. Nuk është se ishim adhurues të Whitney Houston-it. E preferonim rokun granxh, dhe më parë e kemi dëgjuar valën e re, por askush nuk na pyeste për identitetin muzikor apo diçka tjetër.
As që dinim se nacionalistët serbë na shihnin si “Të tjerët”, për t’u dëbuar nga “trojet serbe”, për t’u vrarë, për t’u përdhunuar dhe për t’u burgosur në kampet e përqendrimit. Në verën e vitit 1992, kur ushtria dhe policia serbe e pushtuan qytetin e Prijedorit, të gjithë joserbët duhej t’i mbanin shiritat e bardhë dhe t’i varnin çarçafët e bardhë në dritaret e shtëpive dhe të banesave. Gjenocidi nisi atje dhe përfundoi me gjenocidin e dëshmuar nga gjykata – për Srebrenicën e korrikut të vitit 1995. Fraza “kurrë më” u përsërit në kampet e përqendrimit të Prijedorit në verën e vitit 1992 dhe tani po përsëritet në Ukrainë.
Edhe pse unë dhe familja ime, bashkëluftëtarët dhe bashkëqytetarët kaluam nëpër vuajtjet më të rënda të mundshme (si refugjatë, ushtarë dhe civilë), kurrë nuk ia lejova vetes ta urrej një popull të tërë. I kam urryer vetëm ultranacionalistët dhe kriminelët e luftës, por jo serbët tjerë.
Është dashur të luftojmë thjeshtë për mbijetesën tonë. Dhe, kur kështu lufton, kurrë nuk mund të mposhtesh, sepse asnjë ide nuk është më e fortë sesa ideja e jetës tënde. Tash për tash, ukrainasit po bëjnë luftën për jetë a vdekje. Kur nuk ke asgjë tjetër për të humbur pos jetës tënde, atëherë je më i forti.
Në vjeshtën e vitit 1995, më në fund arritëm ta rimarrim qytetin tonë. Ishte i rrënuar, por e rindërtuam. Disa vjet pas luftës ti e kupton se jeta nuk do të jetë kurrë si më parë. Kur e humb jetën normale, ajo kurrë nuk mund të rinovohet më.
Për momentin, kjo nuk është ajo që shqetëson popullin e Ukrainës. Ata shpresojnë se lufta do të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, por lufta ka logjikën e vet që nuk i ngjan aspak logjikës njerëzore. Agresioni kundër Ukrainës i ka të gjitha karakteristikat e një lufte të gjatë rrënuese.
Ditën që nisi lufta në Ukrainë, kam shkruar në Twitter se rusët do të bëjnë krime lufte, edhe pse ato ende nuk kishin ndodhur. Për këdo që shikonte dhe dëgjonte Vladimir Putinin, ishte e qartë se së shpejti do të pasojnë lufta dhe mizoritë. Ai iu referua Ukrainës si shtet fals, ndërsa ukrainasve si popull fals.
Sllobodan Millosheviqi dhe Radovan Karaxhiqi thanë të njëjtat gjëra për Bosnje-Hercegovinën dhe për boshnjakët – se ishin të rremë dhe se nuk e meritojnë ekzistencën. Këto fjalë më vonë u shndërruan në krimet më të rënda në Evropë – që nga Lufta e Dytë Botërore. Shpresoj se krimet e Ushtrisë ruse nuk do t’i tejkalojnë ato që janë kryer në vendin tim.
Do ta kuptojmë shtrirjen e plotë të mizorive dhe të krimeve të pushtimit rus të Ukrainës, atëherë kur do të përfundojë lufta. Gjëja më e rëndësishme është që makineria ruse e luftës të thyhet dhe të ndalet në Ukrainë. Diktatori e kupton vetëm gjuhën e forcës, ndërsa politika e paqësimit ia forcon pushtetin. Njerëzit në BE duhet të largohen nga hapësira e tyre e rehatisë, sepse kjo është sakrifica që kërkohet nga ta, përderisa ukrainasit luftojnë dhe vdesin për ta ruajtur paqen dhe prosperitetin në BE. Nëse Ukraina mposhtet, nuk do të jetojmë më kurrë në paqen që aktualisht mbizotëron.
Qytetet e Ukrainës do të rindërtohen nga hiri. I gjithë vendi mund të ngrihet përsëri. Ajo që nuk mund të kthehet janë të vdekurit. Këto plagë nuk do të shërohen kurrë, por mundesh dhe duhet të jetosh me to. Trauma e humbjes të shënjon dhe nuk të braktis kurrë. Por, besoj në kurajon dhe guximin e ushtarëve dhe të qytetarëve ukrainas, ashtu siç besoja në veten tonë. Besoj në fitoren e jetës mbi vdekjen. /Telegrafi/