Bislimi, Deliut: Po të kishit informacionet se si është prezantuar Kosova deri tani në dialog, do të ishit turpëruar

30 nëntor 2022 | 11:38

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka thënë deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra se “sikur ju të kishit pasur çerekun e informacioneve që kam unë se si është prezantuar Kosova deri tani në dialogut, ju ishit turpëruar me ardhë në sallë”.

Bislimi ka raportuar sot në Komisionin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, ku ndër të tjerash ka pasur edhe kritika nga opozita.

Fillimisht, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka akuzuar Bislimin se i janë shkaktuar Kosovës dëme të mëdha me qasjen e qeverisë në dialog.

“Konsideroj se i keni shkaktuar dëme Kosovës. Keni shkaktuar situatë, ku s’kemi funksion të institucioneve në veri të vendit. Kemi zero funksionim. Përtej faktit se kemi bërë të mundur funksionimin e pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak, kemi zero funksionim tash në atë pjesë. Gjithë këtë e keni bërë brenda një viti, me veprimet tuaja të pamatura. Nuk është dëm i vogël. Kemi dhënë mbështetjen si opozitë për të shtrirë sovranitetin në veri, por duhet të flasim hapur, veriu nuk është i njëjti si para tri viteve. Nuk ka funksionim të institucioneve”, ka thënë Deliu-Kodra gjatë raportimit në komision.

Asaj më pas i është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Zonja Deliu përdori kryesisht tri fjalë që i përsëritë vazhdimisht: dështim në dialog, veprime të pamatura dhe veprime fëmirore. Sikur ju të kishit pasur vetëm çerekun e informacionit që kam unë se si është prezantuar Kosova deri mars të vitit 2021 në dialog dhe si prezantohet tani, ju ishit turpëruar me ardhë në sallë dhe me fol për mua. Duhet me qenë një seancë tjetër ku duhet të flasim për të bërat tuaja e pastaj për punët që i kemi kryer ne që prej ardhjes në pushtet”, është shprehur Bislimi.

Deliu-Kodra, Bislimit: I keni shkaktuar dëme të mëdha Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe në Nyon, sikur në gjitha qytetet dhe kantonet e…