Zëri liridashës i Avdush Canajt

05 dhjetor 2022 | 08:20
Izet Abdyli
Avdush Canaj, “Edhe ëndrrat në pranga (lirika nga burgu)”, Armagedoni, 2022
Ka njerëz të rendomtë që në jetën e tyre të përditshme janë aq modestë sa nuk mund ta kuptosh jetën, vuajtjet dhe sakrificatt që ka kaluar. I tillë është edhe poeti Avdush Canaj, i cili me vëllimin e tij më të ri “Edhe ëndrrat në pranga” na shpalos një pjesë të jetës së tij sa tragjike, sa të dhimbshme, po aq edhe krenare.
Autori i këtij vëllimi të poezive në formën e një kronike poetike shpalos kujtimet e hidhura të një të burgosuri në burgjet e Jugosllavisë. Përmes vargjeve poeti shpalos tablot e trishta që ka burgu i cili është i mbushur me cerberë, dhunues e kërcënues të drejtës elementare të njeriut.
Krahas kësaj në vargje defilon edhe zëri i një liridashësi i cili asnjëherë nuk thyhet para vuajtjeve, torturave e maltretimeve nga personeli i burgut. Ai edhe në ato rrethana kur përpelitej mes jetës e vdekjes gjen forcë që përmes vargjeve t’i shfaqë kundërshtitë e tij, madje duke rrezikuar e duke gjetur forma të ndryshme për nxjerrjen e vargjeve nga burgu.
Çdo varg i këtij vëllimi të poezisë është një klithmë, është një protestë, është një zë lirie e krenarie i një njeriu të pathyeshëm. Stili i shkrimit, figurat, metaforat e gjetjet poetike, e bëjnë këtë libër jo vetëm t’i rezistojë kohës (kujto kohën kur është shkruar, në vitet tetëdhjetë të shekullit njëzet), por të jetë edhe i barasvlershëm me vlerat e poezisë moderne që shkruhen sot.
Sigurisht po të kërkohej ndonjë preferencë për leximin e librave në këtë fundvit, pa hezitim do të propozoja librin e Avdush Canajt “Edhe andrrat në pranga (lirika nga burgu)”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ashtuquajtura Polici e Dokeve dhe e Zakoneve kontrollonte kryesisht…