Vuçiqit i mbetet hatri pasi merr vesh se Turqia do ta furnizojë Kosovën me “Bayraktar”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Azerbajxhani, ku po qëndron për vizitë ka shprehur zemërim ndaj Turqisë pas paralajmërimit se ky vend do të furnizojë Kosovën me dronët “Bayraktar”. Ai gjithashtu i është përgjigjur ashpër ambasadorit gjerman në Kosovë, pasi ky i fundit tha se barrikadat në veri duhet të hiqen.
Vuçiqi, duke komentuar lajmin se Turqia do të armatosë Kosovën me dronët “Bayraktar”, tha se kjo do të ndikojë më marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin Erdogan”, tha Vuçiqi.
Vuçiqi, gjithashtu, ka sulmuar Gjermaninë. Ai e ka quajtur anti-serb ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke thënë se ai njihet për deklarata kundër serbëve.
Vuçiqi, gjithashtu, ka thënë se Gjermania kërkon të dominojë plotësisht në Ballkan.
Reagimi i Vuçiqit ndaj ambasadorit Rohde vjen pas deklaratës se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen deri në Kërshëndella.
“Z. Rohde është i njohur për deklaratat e tij anti-serbe”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiqi ka shfaqur pakënaqësi edhe me politikat gjermane në rajon, duke thënë se Gjermania kërkon dominim në Ballkan.
“Gjermania dëshiron dominim të plotë në Ballkan”, ka thënë ai.
Vuçiqi, duke folur për kërkesën e Serbisë shtruar KFOR-it për t’i kthyer trupat në Kosovë, ka thënë se KFOR-i nuk po i përgjigjet Serbisë, por këtë po e bëjnë politikanët.
“Përfaqësuesit gjermanë mendojnë se mund të vendosin se çfarë fasule të hahet në Mitrovicë e çfarë në Zubin Potok”, ka thënë Vuçiqi, duke u ankuar që Rohde nuk po flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Gjithashtu, ai ka ironizuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kur është pyetur se kush mund ta ndal atë.
“Me gjasë ne jemi të vegjël, e ata, shqiptarët, janë të mëdhenj”, ka thënë ai.
“Është e dukshme se Kurti nuk është vetëm. Jemi të dobët krahasuar me të gjithë ata, por kur mbron lirinë dhe vatrën tënde, forca është shumë më e madhe”, ka thënë Vuçiqi.



