Ish-diplomati Haziri, padi dhe kallëzim penal ndaj ministres Gërvalla dhe sekretarit Isma

12 janar 2023 | 13:02

Ish-diplomati Amir Haziri, ka ushtruar padi në gjykatë kundër ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, ndërsa ka bërë edhe kallëzim penal në prokurori ndaj ministres, por edhe ndaj sekretarit të kësaj ministrie, Behar Isma.

Haziri, përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar se arsyeja për padinë ndaj ministres Gërvalla-Schwarz është “shkëputja e marrëdhënies time të punës zyrtare në MPJD”, vendim të cilin e ka quajtur “të kundërligjshëm dhe arbitrar”, ndërsa kallëzimin penal ka thënë se e ka bërë ndaj ministres dhe sekretarit për rastin e “thyerjes së zyrës sime të punës”.

Ish-diplomati ka treguar se si disa javë para vendimit për shkëputje të marrëdhënies së punës, teksa ka qenë në pushim, atij i është thyer zyra dhe se nuk  e ka njoftuar askush.

Më tutje, ajo ka thënë se ministrja e MPJD-së ka trilluar dhe ka thënë të pavërteta për këtë rast.

“Fatkeqësisht, disa javë para vendimit për shkëputje të marrëdhënies së punës, isha në pushim pa pagesë dhe zyra ime ishte thyer kundërligjshëm dhe pa më njoftuar askush. Ministrja Schwarz, lidhur me këtë rast, është deklaruar disa herë publikisht dhe ka sajuar trillime dhe të pavërteta me qëllim të arsyetimit të thyerjes së kundërligjshme të zyrës”, ka shkuar ai.

Ai ka theksuar se në këtë zyrë, për të cilën ka thënë se një kopje të çelësit do të duhej ta këtë edhe ministria, “si diplomat i karrierës për shumë vite, kam pasur dokumente zyrtare dhe të rëndësishme për fatin e të cilave nuk di asgjë”.

“Në këtë zyre, kam pasur mjete, të dhëna dhe gjësende personale (me vlerë materiale dhe jo materiale), të cilat asnjëherë nuk i kam pranuar dhe për fatin e tyre nuk di asgjë deri më sot. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për t’u shkarkuar nga përgjegjësia e zyrës dhe për të marrë gjërat e mia private, asnjëherë nuk kam pranuar përgjigje”, ka thënë Haziri.

Në këtë mënyrë, ai ka thënë se ministrja Gërvalla dhe vartësi i saj, sekretari i përgjithshëm, “kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe me vendimet dhe veprimet e tyre kanë kryer disa vepra penale për të cilat duhet të përgjigjen penalisht”.

“Pas shumë viteve punë dhe angazhim të palodhur në diplomaci dhe shërbimin e jashtëm të vendit, një trajtim të tillë jo dinjitoz dhe të paligjshëm nuk e kam pritur e as merituar. Sidoqoftë, do të vazhdoj të mbroj të drejtat e mia në të gjitha instancat gjyqësore, dhe do t’i deponoj të gjitha dëshmitë ku provojnë të kundërtën e asaj që thuhet nga Shwarz dhe vartësit e saj. Unë kam besim të plotë në përfundimin e suksesshëm të këtyre betejave ligjore”, ka thënë Haziri në njoftimin e tij, duke bashkëngjitur edhe një copë të dokumentit që e dëshmon se kallëzimi penal veçse është bërë.

Rasti i thyerjes së zyrës së ish-diplomatit Haziri dyshohet të ketë ndodhur Incidenti ka ndodhur më 5 korrik, në kohën kur i njëjti gjendej në pushim pa pagesë.

Rrugëtimin e tij në diplomaci, Haziri e ka filluar në vitin 2013 si sekretar i parë për të shërbyer në misionin e Republikës së Kosovës në Serbi, ndërsa misioni i fundit ku ka shërbyer si këshilltar ka qenë në Zagreb të Kroacisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Goditja nga një dash ka qenë fatale për një 64-vjeçare…