Vdekjet nga shurupet e kollës, OBSh-ja: Masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka bërë thirrje për “veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar” për të mbrojtur fëmijët nga ilaçet e kontaminuara, pas vdekjeve të lidhura me shurupet e kollës vitin e kaluar.
Në vitin 2022, më shumë se 300 fëmijë, kryesisht të moshës nën 5 vjeç, kanë humbur jetën si pasojë e dëmtimit akut të veshkave në Gambi, Indonezi dhe Uzbekistan. Në një deklaratë, OBSh-ja ka bërë me dije se vdekjet dyshohet të jenë shkaktuar nga ilaçe të kontaminuara.
Shurupet e kollës, pa recetë, kishin nivele të larta të dietilenit glikolit dhe etilenit glikolit.
“Këta ndotës janë kimikate toksike që përdoren si tretës industrialë dhe mund të jenë fatale edhe nëse merren në sasi të vogla. Ato nuk duhet të gjenden kurrë në ilaçe”, ka theksuar OBSh-ja
OBSh-ja ka thënë se shtatë vende kishin raportuar se kishin gjetur shurupe të kontaminuara në katër muajt e fundit dhe u bëri thirrje 194 shteteve anëtare në këtë organizatë që të veprojnë menjëherë për të parandaluar më shumë vdekje.
“Meqenëse këto nuk janë incidente të izoluara, OBSh-ja u bën thirrje palëve të përfshira në zinxhirin e furnizimit mjekësor, të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara”, ka thënë OBSh-ja.
Burime jozyrtare të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters” pretendojnë se OBSh-ja ka nisur hetimet për të përcaktuar nëse ka ndonjë lidhje mes prodhuesve të shurupeve të kontaminuar.
Duke cituar nivele të paprecedent toksinash në produkte, OBSh-ja ka kërkuar më shumë informacion mbi lëndët e përdorura nga 6 prodhues në indi dhe Indonezi për shurupet e lidhur me vdekjet tek fëmijët, dhe po ashtu nëse kompanitë i kanë siguruar ato nga i njëjti furnizues.
Siç është thënë, OBSh-ja po konsideron nëse do të këshillojë familjet të rivlerësojnë përdorimin e shurupeve të kollës tek fëmijët në përgjithësi.



