Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

22 maj 2023 | 10:42

Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Atyre do t’iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, raporton REL.

Ministri i Jashtëm i Suedisë Tobias Billstrom, vendi i së cilit ka kryesimin e radhës së BE-së, ka thënë në prag të takimit se “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por ne do të vazhdojmë të presim nga ta përshtatje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Grliq-Radman ka thënë se Kroacia mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por po ashtu kërkon që ato vende të respektojnë vlerat evropiane dhe të bashkëpunojnë në disa fusha, përfshirë edhe çështjen e imigrimit ilegal.

Deri tani, të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Për më tepër, në vitin e fundit, përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zvogëluar edhe më shumë.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet që dëgjohen në Bosnje e Hercegovinë për rrezikimin e integritetit territorial të këtij vendi. Thirrje të tilla vazhdojnë të vinë nga lideri i Serbëve të Bosnje e Hercegovinës Millorad Dodik.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.

Pas udhëzimeve që liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë nga samitet e Bërdos në vitin 2021 dhe Tiranës në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka asistuar partnerët që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’u përballur me kërcënimet hibride, posaçërisht ato kibernetike dhe me fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm.

BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.

Të gjitha këto do të jenë edhe tema për të cilat ministrat e BE-së dhe kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor do t’i diskutojnë në takimin e tyre të përbashkët.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marigona Hill Prishtina është shpallur kampione e Superkupës U16 te…