Osmani ende s’ka vendosur nëse do t’i hyjë garës për kryetare të LDK-së

15 gusht 2018 | 11:23

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) asnjëherë nuk ka qenë më unike. E ky unitet duhet të ruhet edhe në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në fillimin e vitit të ardhshëm, e që do të përfundojnë diku në muajin maj.

Kështu ka deklaruar deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kosovapress”.

Osmani ka thënë se pret që gara për kryetar të LDK-së të jetë demokratike, e hapur, fer, me respektim të statutit dhe më shumë kandidatë, e jo si herëve të kaluara me vetëm një kandidat.

Ajo është shprehur e bindur se fitore në zgjedhje mund të arrijnë vetëm duke qenë bashkë.

Por, Osmani ka rikujtuar se LDK-ja nuk mund të fuqizohet pa e zhvilluar demokracinë e brendshme dhe të hapen dyert për të rinjtë.

Në majin e vitit 2015, deputetes Osmani nuk i ishte lejuar që të garojë për kryetare të LDK-së, ani pse kundër statutit të partisë, meqë ishte vendosur që ajo duhet t’i marrë 50 plus një për qind të votave të delegatëve në mënyrë që të hynte në garë me kryetarin aktual Isa Mustafa.

Por tani Osmani ka thënë se ende nuk e ka vendosur nëse do t’i hyjë garës për kryetare të LDK-së.

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se pret që gjithçka të vendoset pasi të mbahen zgjedhjet në nëndegë dhe degë, që mund të fillojë si proces qysh në fillim të vitit 2019.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova na ka lënë dhe këtë gjë nuk mund ta…