TAKIMI NË TIVAR

18 tetor 2023 | 16:26

Sabile Keçmezi-Basha

Sot,
Baba
U takuam përsëri
Si gjithmonë
Në Tivar

Në veshë më ushtin malet
Nga rafalët

Ku je baba
Vetë më the
Se linde nga katrahura
Nga këto brigje
Cullak nga blerimi.

Më the
Se me sytë e tu i pe
Gjymtyrët si i bartte kafka
Nga trupat e shkërmoqur

Më the
Se vdekja të luante lojën
Të qëndronte karshi
Duke të qitur gjuhën
Lavire…
kishin jehuar malet

Tradhtia përbindësh ishte
Në përtej kohë.
Sot, homazh bëra në Monopolin e duhanit
Për të gjithë ata
Që Ti kurrë nuk i takove
Në vaporin për Triesten
Unë ende po të pres
Këtu…
Në takimin e premtuar

Baba, takohemi sot
Në këtë fushë të kuqe
Më the
Se më pritje mua
Në rrasë të gurit

Unë erdha…
Të flasë me ty…
Ku je…
Ku je…
Babaaaaaa
Gjithandej
U trazua deti

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i IDF-së (Forcat e Mbrojtjes Izraelite) Daniel Hagari, ka…