Krasniqi, Kurtit: Vuani prej kompleksit të madhështisë, keni qejf me qenë në lozhën e Thaçit dhe Rugovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se që prej kur e njeh, vuan nga kompleksi i madhështisë.
Krasniqi i ka thënë kryeministrit se e di që ka qejf të jetë në mesin e liderëve më të rëndësishëm të vendit, në lozhën e Hashim Thaçit dhe Ibrahim Rugovës.
Por, Krasniqi ka thënë se derisa historia e mban mend Rugovën si njeriun që i ka dhënë drejtim euroatlantik shqiptarëve e Kosovës dhe Thaçin si shpallës të pavarësisë, atëherë Kurti duhet të mendohet se si do ta mbajë në mend historia, duke ia përmendur pranimin e Asociacionit.
“Kompleksin e madhështisë prej të cilit ke vujtur prej që të njohë, ata s’mund ta heq askush. Po pikërisht pse e ki këtë kompleks, mendoje se si ka me të vlerësua historia. E di që e mënon, se e di që ke qejf me qenë prej liderëve ma të rëndësishëm të këtij populli, me të shkru edhe mas 30 vjetëve. Kryeministra ka pasur, liderë ka pas dhe ka do të ketë. Do mbahen mend, do s’mbahen. Po ti ki qejf me qenë të llozha e parë, qaty me Hashim Thaçin dhe Ibrahim Rugovën. Po derisa Rugovën e mban mend historia që ua ka dhënë orientimin perëndimorë shqiptarëve dhe Kosovës, dhe Thaçin si shpallës të pavarësisë dhe drejtues i luftës, ti mendon a ka me të mbajt mend ky popull si njeri që i ka dhënë një komuniteti etnik-autonomi që nesër mundet me u bo federalizim ose ndarje”, ka thënë Krasniqi.



