Marrëveshja Meloni-Rama ka vendosur themele juridike mbi çështjen e trajtimit të emigrantëve të paligjshëm në të ardhmen në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian
Shkruan: Adlej Pici
Meqë ka nisur një debat i madh në të dy anët e Adriatikut mbi marrëveshjen Meloni-Rama, e cila ka vënë në lëvizje të gjithë kundërshtarët e saj, mendova dhe unë të them diçka për atë që mendoj mbi këtë marrëveshje.
Kjo marrëveshje është një marrëveshje historike e cila vendos themele juridike mbi çështjen e trajtimit të emigrantëve të paligjshëm në të ardhmen në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Është e natyrshme të pretendojmë që Rama në këtë marrëveshje historike është gjendur në momentin e duhur dhe ka luajtur rolin vetëm si aktor, por nuk mund të lihet në heshtje kontributi i tij (edhe pse dikush mund të thotë pasiv) në realizimin e marrëveshjes si dhe e përmendura e emrit të tij në të ardhmen si arkitekt kontribuues i saj. Momenti kur kjo marrëveshje është diskutuar, përpiluar dhe nënshkruar, është esencialisht i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës sepse mungesa ose mos aprovimi i saj nga kupola evropiane do të çonte pashmangësisht në një Italexit eventual. Situata në Itali është inkandeshente dhe kjo do të niste procesin përfundimtar të shpërbërjes së BE-së. Nuk dua te tingëllojë si ajo budallaçka në emigracion, Ornela Vorpsi apo ajo tjetra në vatan Spiropali, por Rama këtë herë ka kontribuar të jetë statist në “shpëtim” të Evropës, jo nga otomanet, por këtë radhë nga vetvetja.
Përfitimet e Italisë:
1. Meloni me këtë lëvizje i ka hequr llokmën më të majme NGO-ve dhe organizatave politike të majta dhe katolike të cilat janë edhe ato që po e kundërshtojnë deri në histeri këtë marrëveshje. Një eksponent i të majtës italiane ka propozuar që Rama (PSSH) të përjashtohet nga grupi socialist evropian. Të majtët po organizojnë gjithë kohortat e tyre histerike në sistemin juridik dhe politik për ta hedhur poshtë dhe për ta invaliduar këtë marrëveshje.
2. Meloni ka shënuar një pikë të jashtëzakonshme zgjedhore si në Itali ashtu dhe ne Evropë në zgjedhjet e 2024. Pozita e saj si kryqtare e të djathtës europiane në shfarosjen e të majtës dhe demokristianëve në EU për reformimin e saj nga brenda, bëhet shumë më e fortë. Fakti që EU e aprovoi brenda ditës marrëveshjen është provë që thyerja definitive ishte shumë pranë dhe se Meloni mund te thotë që ajo e ka shpëtuar atë, Bashkimin Evropian.
3. Meloni diskrediton me autoritet gjithë opozitën e brendshme të degjeneruar dhe pa asnjë ide ose moral të lidhur me mafien e NGO-ve dhe me industrinë e klandestinëve (Schlein, Sumahoro).
4. Italia prezantohet si një fuqi e rëndësishme në rajon, Ballkan dhe Mesdhe, si dhe me autoritet të ngritur në Europë. Me këtë i provon të gjithëve që ajo është e përzgjedhura e Amerikës në këtë periudhë tranzicioni dhe turbullirash që paraprijnë zgjedhjet amerikane.
5. Meloni propozon vetën dhe Italinë si ura e komunikimit midis sistemit në rënie perëndimor dhe atij në ngritje multilateral. Italia do të jetë e preferuara e Amerikës, Rusëve, Kinezëve dhe kontinenteve të mëdha në diskutimet e tyre me Evropën. Një rol që i ka takuar prej kohesh dhe që di ta bëjë më mirë se kushdo.
Përfitimet e Shqipërisë (Rama)
1. Prezantohet në Rajon si firmëtari i një marrëveshje historike ndaj të cilës të gjitha vendet evropiane kanë detyrim dhe precedent ligjor.
2. Lidhë përfundimisht në mënyrë të përgjithshme fatin e Shqipërisë me atë të Italisë, siç duhej të kishte ndodhur prej shumë kohësh. Në këtë kontekst, e shkëput të ardhmen e Shqipërisë nga planet, kryesisht gjermane, të diktuara më tepër nga frika e eventeve se sa nga dëshira për të zgjidhur probleme ose interesa afatgjata. Italia është vendi i vetëm që e sheh Shqipërinë me interes organik dhe afatgjatë dhe jo si një mbushës gjeopolitik në rajonin e vogël.
3. Shqipëria pozicionohet me autoritet në Ballkan dhe Evropë si autore e kësaj marrëveshje dhe si një vend serioz në zgjidhjen e problemeve madhore në kontinent.
4. I krijon një borxh historik Italisë e cila me dëshirën më të madhe bëhet mentori dhe mbrojtësja e Shqipërisë në të gjitha objektivat që ajo ka në të ardhmen. Ushtarakisht dhe politikisht Shqipëria më në fund ka një kredit të madh tek vendi i duhur. Arsyeja pse është vendi i duhur është që Italia mbas përfundimit të luftërave të tanishme dhe ndoshta edhe ato të së ardhmes së afërt, do të jetë e “dashura” e perëndimit që do ta riafirmojë me lindjen dhe me Afrikën. Shqipëria në këtë mënyrë do të rrjedhe nëpër kanalet diplomatike italiane për të hapur rrugët e interesit aty ku me injorance i ka mbyllur. Në një situatë të tillë, bashkimi i trojeve shqiptare mund të jetë një ngjarje reale, e mundshme dhe pa pasoja dramatike. Shqipëria më në fund ka pas shpatullave një fuqi që e respekton. Game over!
5. Rama është afruar në mënyrë të pashmangshme me të djathtën evropiane e cila me të gjitha gjasat do të dalë fituese në zgjedhjet evropiane të vitit 2024 dhe në këtë mënyrë ka siguruar autoritetin dhe të ardhmen e tij politike siç i leverdisë më mirë.
Kjo marrëveshje nuk do të kalojë pa pengesa dhe pa dështime të vogla por ka treguar rrugën dhe i ka rënë La-së së tonalitetit të politikës së ardhshme. A ka qenë Rama autor apo është gjendur aty dhe është këshilluar? Këtë e di vetëm ai dhe njerëzit që ka rrotull. Një gjë mbetet akoma e pashpjeguar, ai mori urdhër për ta bërë këtë gjë apo ishte iniciative e tij. Kjo e fundit ka pak gjasa të ketë ndodhur, por nëse është e vërtetë, ndoshta mund të jetë një sinjal ndryshimesh të brendshme klanesh tek sponsoret dhe mentorët e tij të deritanishëm.