Stoltenberg në Sarajevë: Jemi të shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe ndikimi rus

20 nëntor 2023 | 14:59

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën në Sarajevë se aleanca veri-atlantike ndihet e shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe me ndikimi rus në rajon.

Kjo ishte vizita e parë e shefit të NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë, pas të cilës ai do të mbërrijë në Kosovë pasditen e së hënës. “Ajo kërcënon minimin e stabilitetit dhe dobësimin e reformave. Të gjithë liderët duhet të punojnë për të ecur përpara. Për ne është tejet me rëndësi dhe ne jemi të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, dhe vendit tuaj i cili ka shumë rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj ne po e thellojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin tonë praktik”, tha Stoltenberg në Sarajevë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.

Stoltenberg bisedoi edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, mëngjesin e së hënës.

Krishto tha se Bosnjë e Hercegovina është pjesë e Planit të Veprimit të Anëtarësimit (MAP), i cili, sipas saj, tregon se ka vendim politik nga NATO-ja se ajo mund të bëhet anëtare e aleancës.

“Ne duhet ta arrijmë një konsensus politik dhe përmes dialogut të vijnë deri te pozicionet të cilat janë shumë të rëndësishme për Bosnjë e Hercegovinën kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me NATO-n”, tha Krishto.
Përfaqësuesi i lartë i Bosnjë e Hercegovinës, Christian Schmidt, tha pas takimit me Stoltenbergun se është e nevojshme ndërtimi i besimit në sundimin e ligjit në Bosnjë e Hercegovinë, dhe se kjo është, në mesin e shumë gjërave, përgjegjësi e politikanëve vendorë. “Po punojmë rreth kësaj dhe kemi nevojë për mbështetjen e BE-së dhe NATO-s”, tha Schmidt.

Stoltenbergu e theksoi rëndësinë e përfaqësuesit të lartë për proceset e pajtimit në Bosnjë e Hercegovinë, duke shtuar se “çfarëdo tentimi për ta minuar pozicionin e tij do ta kthejë mbrapa Bosnjë e Hercegovinën”.

Stoltenberg mbërriti në Bosnjë të dielën vonë dhe darkoi me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjës, njoftoi në “Facebook” se gjatë vizitës, shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake mbetet garantues i sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës. “Ai tha se NATO-ja nuk e aprovon një retorikë e cila nxit ndarje dhe e rrezikon funksionimin e institucioneve të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Ai, po ashtu, nënvizoi se rrugët e Bosnjë e Hercegovinës drejt Evropës dhe NATO-s janë të qëndrueshme, dhe se NATO-ja do t’i mbështet proceset e reformave, të cilat e sjellin Bosnjë e Hercegovinën më pranë NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, shkroi Beçiroviq.

Më parë, Stoltenberg kishte deklaruar se Bosnja e Hercegovina, bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, i përkasin vendeve që e meritojnë një vëmendje të veçantë nga NATO-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…