Në politikë e futi Ramiz Alia, por kush e sjelli Sali Berishën në Tiranë, në vitin 1958
“…Gjithë verës Saliu priste që t’i jepej bursa për në politeknikumin mjekësor të Tiranës. Dhe çasti i pritur me aq padurim erdhi. Seksioni i arsimit e njoftoi Saliun se ia dha bursën atje ku e kërkoi…”
Duket e pabesueshme po për Sali Berishën është shkruar në gazeta që në… 1959-n. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga një shkrim për të në gazetën e asaj kohe “Bashkimi”.
DITA ka kontaktuar në 2015 autorin e shkrimit Murat Gecaj, i cili e konfirmoi shkrimin 56 viteve më parë, në nëntor të vitit 1959.
Shkrimi mban titullin “Ëndrra po realizohet”. Ja pjesë prej tij që ribotohen nga DITA:
“…Sigurisht ju nuk e njihni Saliun. Dhe kini të drejtë. Për ta njohur duhet të kishit qenë në shkollën 7-vjeçare “Asim Vokshi” të Tropojës… Gjithë verës Saliu priste që t’i jepej bursa për në politeknikumin mjekësor të Tiranës. Dhe çasti i pritur me aq padurim erdhi. Seksioni i arsimit e njoftoi Saliun se ia dha bursën atje ku e kërkoi…
U nda Saliu nga prindërit dhe makina kaloi Alpet e udhëtonte nëpër fushat e gjera të Atdheut. Mendjen e kishte te prindërit, por zemra sa s’i gufonte prej gëzimit. Ai shkonte për të parën herë në kryeqytetin tonë, në Tiranën e bukur. Në shkollë gjeti shokë dhe shoqe, në gjirin e të cilëve filloi të ndiejë veten si në familjen e tij. Saliu nuk dyshon se dëshira e tij do të plotësohet për t’u bërë mjek dhe për t’i shërbyer popullit…”
Ish-studenti i Mjekësisë është sot ndoshta i vetmi ish-komunist i viteve ’60 që ka ngelur aktiv në politikë. Aty e futi Ramiz Alia, por në Tiranë e ka sjellë një… mjek.
Mjeku quhet Rexhep Ndoçi dhe në Tropojë e dinë që ishte pikërisht ndërhyrja e doktor Rexhepit që Sali Berisha të fillonte mësimet në politeknikumin mjekësor në Tiranë në vitin shkollor 1958-1959.
Vetë Berisha ndërsa pëlqen të flasë për familjet e të gjithëve, nuk ka qejf të flasë për të shkuarën e tij të hershme.
Rast përjashtimor në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në dhjetor 2013, teksa thoshte që ishte rritur me librat e Fishtës dhe odën e burrave ai tregonte për fëmijërinë e tij:
“..Ne ishim tre fëmijë, 2 vëllezër dhe një motër. Çfarë ndodhte në familjen tonë… E para ishte motra në mënyrën më të padiskutueshme.. Motra ishte 6 vjet para meje, ajo bënte gjithçka që të derdhte të gjithë dashurinë mbi mua, më ka mësuar të lexoj 5 vjeç. Nuk kanë të përshkruar aktet e saj të dashurisë ndaj meje… Motra më mësoi mua shkrim e këndim 5 vjeç dhe natyrisht unë kam pasur një tipar, unë isha një fëmijë fotografik, me një memorie shumë të fuqishme… Gjatë gjithë rinisë time unë kam qenë tmerrësisht i lidhur me librat. .
Veç nënës dhe motrës ai tregonte se ndikim të madh në jetën e tij ka patur e shoqja:
“Pas nënës Lili është njeriu që i detyrohem më shumë në tokë. Ajo ka padyshim një ndikim shumë të madh në jetën time..”
Përballjen e parë me Tiranën djali nga Viçidoli i Tropojës së Vjetër e komenton kështu: “…Shumë e vështirë. Imagjinoni një njeri që vjen nga një fshat i Tropojës. Të marrim ushqimin, me një ushqim të ndryshëm si dita me natën, me ushqimin e konviktit…
Kurse vendimin për të studiuar mjekësi:
“I gjithë pasioni im ishte letërsia, historia, por kryesisht letërsia dhe deri vitin e tretë të fakultetit bëra përpjekje të jashtëzakonshme që të më lejohej që të vazhdoja dy fakultete. Kjo nuk mu lejua dhe më në fund dështova në përpjekjen time dhe pastaj i gjithë si të thuash, pasioni, mu drejtua drejt mjekësisë…”
Pasion letërsia?!
Në fakt shkrimi i “Bashkimit” në 1959 thotë se Saliu kishte kerkuar vetë që bursa t’i jepej për mjekësi. Ndoshta e ka fshehur Saliu i vogël “pasionin” dhe ka gënjyer mjekun që e ndihmoi? Apo gënjeu Sonilën?
Gënjeshtrat e vogla e të mëdha, janë kaq të shumta në raportin e tij me shqiptarët dhe Shqipërinë sa askush nuk do ta vejë re këtë.