BE-ja: Rezultatet në dialog s’janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë që s’e mbajtën fjalën

29 prill 2024 | 15:02

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që ta lehtësojnë atë dhe t’u ndihmojnë palëve të sillen si evropianë, por sipas tij fakti që Kosova dhe Serbia nuk ishin në gjendje ta bënin këtë nuk është për shkak të dështimit të BE-së, por për shkak të dështimit të tyre që nuk e mbajtën fjalën.

“Cilat janë mësimet që kemi mësuar? Ka një mësim të qartë, që nëse palët nuk duan të lëvizin, askush nuk do të mundet t’i detyrojë ata. Roli ynë si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë të fillojnë që të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, ka thënë Stano.

Stano në deklaratën për medie, ka thënë se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqiten si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha zëdhënësi i BE-së, ai ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare.

“I dërguari special ishte një instrument i ri dhe specifik gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Në të kaluarën nuk ka pasur. Përfaqësuesja e lartë e ka bërë këtë punë vetë, në dy mandatet e kaluara, por kjo ishte një shenjë se sa shumë vëmendje po i kushtonim kësaj çështjeje dhe se sa shumë donim të ndihmojmë, duke caktuar, me vullnetin e 27 shteteve anëtare, një person që specifikisht po merrej me ndihmën e Serbisë e Kosovës që të lëvizin përpara, në baza ditore. Kështu që nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, ka thënë Stano.

Sipas tij, nuk është korrekte të thuhet se ka dështim për faktin se palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjet e Ohrit, pasi siç ka thënë ai kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme.

Stano ka thënë se nëse nuk bëhen hapa drejt implementimit të saj, Serbia e Kosova i bëjnë dëm vetes, dhe se qytetarëve e vendeve të tyre nuk mund t’i gëzojnë përfitimet.

“Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, për faktin se dy palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Me dhjetëra herë kemi sqaruar se nuk ka pasur pikëpyetje për nënshkrimin. Kjo marrëveshje është ligjërisht obligative, dhe nuk ka sqarim më të mirë të faktit se është ligjërisht obligative, pasi që është bërë pjesë integrale e rrugës drejtë anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kështu që nuk bëjnë hapa drejt implementimit, ata i bëjnë dëm vetes, të ardhmen evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund t’i gëzonin”, ka thënë ai, duke shtuar se Lajçaku është duke vazhduar përpjekjet e tij në procesin e dialogut.

“Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një mandat të përcaktuar ndërkombëtar, përfaqësuesi i lartë i BE-së është lehtësuesi, pavarësisht nëse emri do të jetë Joseph Borrell, ose kushdo që do të vijë. Emisari special, ende jemi me mandatin e tij që vazhdon dhe po vazhdon përpjekjet e tij, dhe nuk ka shembull më të mirë se si ai e kryen punën, pasi po i kushton kohën dhe energjinë e tij në një numër takimesh, për të zgjidhur çështjen e fundit (dinarin) në vazhdimësinë e çështjeve të njëanshme që po e sjellin dialogun në menaxhim të vazhdueshëm të krizave”, ka thënë Stano.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e famshme shqiptare, Oriola Marashi, ka tërhequr vëmendjen e…