DIPLOMACIA, LUFTA DHE PAQJA TË PËRMBLEDHURA NË MËNYRË TEJET TË THUKËT NË NJË LIBËR

19 gusht 2024 | 10:57

Pal Ndrecaj

Mr. sc. Shpend Gjocaj: “Pavarësia e Kosovës dhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, botoi “Lena graphic”, Prishtinë, 2022

Në librin “Pavarësia e Kosovës dhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, autori

mr. sc. Shpend Gjocaj, ka shqyrtuar ngjarjet më të rëndësishme që kanë pasur ndikim në fatin e kombit shqiptar, duke filluar nga Perandoria Osmane e deri tek ngjarjet e kohëve tona. Libri përmbledh të dhëna mbi rrethanat gjatë e pas rënies së kësaj perandorie, mbi Paqen e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, Pavarësinë e Shqipërisë, Luftën e Parë e të Dytë, pushtetin e Rankoviqit, demonstratat e viteve: 1968, 1981, 1989, 1997, mbi luftën e UÇK-së dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Autori sjell në vëmëndje rolin e madh të mbështetjes amerikane në çështjen tonë kombëtare në periudha të ndryshme, duke veçuar rolin  e presidentëve të këtij vendi, si: Wilson, Bush, Bill e Hilari Klinton e Obama.

Në konceptin politik e analitik të autorit  Shpend Gjocaj, rolin vendimtar në fatin e kombit e kanë vetë lëvizjet politike, kulturore  e ushtarake te shqiptarëve prej kohës së pushtimit otoman, duke veçuar rëndësinë e liderëve politikë e udhëheqësve ushtarakë, si: Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Ymer Prizreni, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Daklani etj.

Informacion të pasur me komente e analiza vetanake autori sjell edhe nga taborri tjetër, ku zhvilloheshin përpjekjet për të gllabëruar tokat shqiptare, duke veçuar rolin e figurave kryesore të shovinizmit serb, si: Nikolla Pashiqi, Ilia Garashanini, shërbimi famëkeq sekret OZNA, Aleksandër Rankoviq  Akademia Serbe e Shkencave etj.

Autori. për të plotësuar tablonë e kohës, sjell edhe jehonën që ngjarjet e atëhershme kishin bërë në opinionin botëror përmes shtypit të kohës, si shkrimet në “New York times”, “Daily telegraf” etj.

Një pjesë interesante e këtij studimi autori ia kushton përpjekjeve për pavarësimin e Kosovës, duke nisur nga ato politike e deri te kryengritja e armatosur.

Falë informacioneve të shumta e të lloj-llojshme, libri fiton një peshë të rëndësishme edhe me përpjekjet e autorit për të informuar e shpjeguar ngjarjet, shkaqet, pasojat e të dhëna më elementare mbi dëmët e Serbisë në Kosovë, si: numrin e objekteve të rrënuara: shtëpi, shkolla, biblioteka spitale ambulanta, zyra të shërbimit civil, objekte kulti e deri tek pasojat më të rëndat: vrasjer, dhunimet, kidnapimet, masakrat e varrezat masive.

Autori i sheh në një balanc relativ rolin e përpjekjeve politike, dmth rezistencën paqësore dhe atë ushtarake, pa mohuar rolin e ndonjërës, e njëherësh, duke i dhënë vendin meritor rolit të ndërhyrjes ndërkombëtare në krye me SHBA-në. Pra, ngjarjet lokale, autori nuk i sheh të shkëputura nga zhvillimet në nivel global dhe nga interesat e rendit dominues botëror, pjesë e të cilit Kosova ka synuar gjithnjë që të jetë.

Kapitulli më interesant i librit është ai me titull “Mbështetja amerikane për Kosovën”. Këtu autori, Shpend Gjocaj, sjell në detaje përpjekjet e diplomacisë amerikane për të penguar konfliktin, pastaj për ta menaxhuar e në fund për ta zgjidhur, si dhe ato në finalizimin e pavarësisë dhe në krijimin e institucioneve.  Shohim në veprim ambasadorin amerikan Cimerman, Richard Holbrok, Wiliam Walker, Kristofer Hill, Volfagan Petriç etj., tek venë e vijnë nëpër zyrat e shefit serb, Slobodan Millosheviq.

Autori ka sjellur pjesën më interesante të bisedës së famshme mes Komandantit Suprem të NATO-s Wesley Clark dhe Komandantit të KFOR-it Mike Jackson në lidhje me pengimin e forcave ruse për të marrë aeroportin e Prishtinës.

Periudhën e Pavarësisë autori e studion në aspektin e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe pengesat që dalin në këtë drejtim, si dhe njohjet ndërkombëtare.

Përpjekjeve për të analizuar në mënyrë sa më të plotë problematikën e shtruar u shërbejnë edhe intervistat që autori Gjocaj ka bërë me figura të kohës së zhvillimit të ngjarjeve, personalitete me ndikim në rrjedhat e kohës, komentues e analistë të zhvillimeve shoqërore.

Mr.sc Shpend Gjocaj, me këtë libër jep një kontribut të çmuar në ndriçimin e kësaj periudhe të historisë sonë të re si përmes informacionit të pasur, të marrë nga burime të shumta shkencore e publicistike, ashtu edhe me aftësinë e përpunimit të këtyre informacioneve për të dhënë mendime e interpretime vetanake.

Falë këtyre dy vlerave, leximi i këtij libri konsideroj se e ka pasuruar horizontin tim njohës mbi këtë periudhe dhe njëjtë do të ndikojë edhe tek lexuesit tjerë, që do ta marrin këtë libër në dorë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sulmuesi kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka arritur që t’i…