Arrestohen tre persona për ryshfet dhe keqpërdorim të autoritetit zyrtar
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar se kanë marrë ryshfet dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Lajmin për “Radion Evropa e Lirë” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, duke shtuar se të gjitha procedurat tjera do ndërmerren në përputhje me ligjin.
“Ju informoj se me datë 20.10.2018 Policia e Kosovës pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ka kryer arrestimin e tre personave të dyshuar te involvuar në veprat penale ‘Marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Te dyshuarit duke vepruar në bashkëkryerje dyshohet se kane marre ryshfet nga pala e dëmtuar”, ka thënë Hoxha.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi zyrtar i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pranon ryshfet, mund të dënohet deri në 12 vjet burgim.



