A janë avionët “Sukhoi” donacion për Ukrainën? Ministria e Mbrojtjes: Është informacion i klasifikuar

04 gusht 2022 | 16:38

Ministria e Mbrojtjes pa përgjigje konkrete nëse përveç tankeve, Maqedonia e Veriut do t’i dhurojë Ukrainës edhe avionë. Thonë se bëhet fjalë për informacion të klasifikuar. Kur do të deklasifikohet, publiku do të jetë i informuar.

“Detajet e sakta për të gjitha tre vendimet, përmbajtjen dhe shpjegimin e tyre do të deklasifikohen dhe do të publikohen në mënyrë transparente. Vendimet që janë marrë deri tani nuk cenojnë gatishmërinë luftarake të Armatës sonë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Një pjesë e mediave publikuan se katër avionë ushtarakë “SU-25” që Maqedonia i ka blerë nga Ukraina gjatë konfliktit të vitit 2001, këto ditë i janë dhuruar Kievit. Paraprakisht, vendi ynë Ukrainës i dhuroi edhe disa tanke T-72. Ndaj kësaj reagoi Moska zyrtare. Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Marija Zaharova dje deklaroi se donacioni është gabim i madh i autoriteteve të Shkupit, i cili sipas tyre, “kontribuon në vazhdimin e aktivitetit kriminal të regjimit në Kiev kundër popullatës civile në Donbas”.

Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes dolën me qëndrim të përbashkët, duke thënë se RMV-ja është shtet sovran i cili vendimet i merr në mënyrë të pavarur, duke u nisur nga parimet e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, Karta e OKB-së, parimet dhe angazhimet e OSBE-së për mbrojtjen e arkitekturës evropiane të sigurisë dhe stabilitetit global.

“Maqedonia e Veriut që në fillim e dënoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe qëndroi në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, e para se gjithash në mbështetje të paqes, të të drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla“, deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Deri tani, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut solli disa vendime për ndihmë ushtarako-teknike me të cilat i ndihmojmë Ukrainës në mbrojtjen e integritetit të saj territorial, i cili është i rrezikuar nga ndërhyrja ushtarake ruse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot rreth orës 11:00 është arrestuar një person i kërkuar…