A po ia mban Edi Rama isonë Aleksandër Vuçiqit?

04 nëntor 16:05

Shkruan: Hajdin Abazi

Këtyre ditëve, më 3 e 4 tetor 2021, në Beograd u mbajt takimi i radhës i”Ballkanit të hapur”, nismë kjo e mbështetur deri më tash nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Përveç deklaratave të Vuciq dhe Rama që i ngjanin një ekzaltimi sikur të kishin zbuluar “ Edenin”, ku do të harroheshin të gjitha armiqësitë – ani se ato nuk janë zgjidhur ende përfundimisht dhe vetë Serbia ende shumë fuqishëm po ysht konflikte, ajo që ra në sy është sinkronizimi i qëndrimeve Rama-Vuçiq, ose Vuçiq-Rama, drejtuar vendeve mospjesëmarrëse, e në këtë kuadër edhe Kosovës.

Vuçiq, i ngazëllyer se u mbajt takimi edhe pas krizës në Maqedoninë e Veriut për shkak të dorëheqjes së Z. Zaev, u tregua bukur bujar në deklaratet e tij. Pasi, tërthorazi përmendi se problemet me Prishtinën do të zgjidhen përmes dialogut në Bruksel, Vuçiq shtoi: “Kush do të bëhet pjesë do të jetë i mirëpritur, kush nuk do është punë e tij.”.

Për dikend që nuk i njeh rrethanat dhe historinë e luftës dhe mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, po dt’i lexonte këto do të krijonte dy perceptime. Së pari, se problemet midis dy vendeve janë në rrugë të mbarë, të lehta dhe do të zgjidhen (shpejt) me dialogun në Bruksel. Por kjo është një demagogji, pasi që dialogu ka hyrë në vitin e 16 dhe nuk ka ndonjë rezultat për t’u përmendur, kryesisht për shkak të prolongimit dhe refuzimit të politikës serbe për të njohur shtetin e Kosovës.

Perceptimi i dytë do të ishte aparenca e gabuar e një gjeneroziteti të presidentit serb, Aleksandër Vuciq. Aq liberal tingëllon ai kur thotë secili është i mirëpritur, por që kush nuk do “është punë e tij”, sa mbase mund të duket i moderuar, ndonëse ai është figura kyçe e destabilizimit të Ballkanti, për më shumë se një dekadë.

E vërteta është se ai e do Kosovën të jetë në “Ballkanin e Hapur”, e do, sigurisht, si treg, ashtu sikurse një vend kolonial e do koloninë e vet të dikurshme. Po ta kishte me sinqeritet “Ballkanin e Hapur”, ai së pari do të njihte pavarësinë e Kosovës dhe serbët e Kosovës do t’i nxiste të integroheshin në Kosovë dhe të bëheshin qytetarë të devotshëm të Republikës së Kosovës, me çka do të jepte shembullin e vullnetit për të ecur përpara drejt një perspektive ku të gjithë janë të barabartë, do të respektoheshin në mënyrë të ndërsjellë dhe do të ushqenin paqen, mirëkuptimin, stabiltietin dhe sigurinë midis Serbisë e Kosovës. Por asnjërën nga këto nuk i bën Vuçiq, sepse ai gjithçka që e thotë e thotë nën thonjëza, pra shprehet ndryshe e mendon dhe vepron krejt ndryshe. Kjo, sigurisht, për ne shqiptarët e Kosovës është e njohur, ashtu sikurse është e njohur edhe për shumicën e vendeve Euro-Atlantike.

Ajo që ishte e re, faktikisht, nga ky takim është isoja që Edi Rama i mbajti presidentit serb A. Vuciq!

Rama madje tingëlloi edhe më ekstrem se sa nikoqiri i tij në Beograd, kur kritikoi Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për mospjesëmarrje në “Ballkanin e hapur” duke i konsideruar “arsyet e mosarsyes”, duke e etiketuar kështu edhe Kosovën.

Madje, ai shkoi edhe më larg duke shpalosur arsyen e “Ballkanit të Hapur”, sipas të cilit, kjo ndodhi meqë Procesi i Berlinit “pasi ka vendosur një kornizë vlerash e kriteresh ka mbetur në rrugë nga një samit në tjetrin e në tjetrin çdo vit, e çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nismë”, pastaj bie në kundërthënie kur shton se ajo është  “vetëm njësi e zbatimit të procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe monitoruar zbatimin”!

Edhe Rama, njëlloj si Vuçiq, tingëllon sikur gjashtë vendet e Ballkanit jo vetëm se i kanë zgjidhur kaherë të gjitha problemet midis tyre, por ato edhe kanë arritur një normalizim, harmonizim e sjellje aq paqedashëse, sa që është tejkaluar historia, janë konvertuar pushtetarët serbë në engjuj që mendojnë, flasin dhe veprojnë vetëm në mënyrë dashamirëse.

Që Vuçiq aktron kështu, e kam të qartë mirë arsyen, por nuk e kam aspak të qartë ison që ia mbanë Edi Rama. Cila është arsyeja e tij, arsyeja e vërtetë – kjo, një herë për një herë, mbetet enigmë.

Duke e abstraguar kapitullin e luftës, nga viti 1999 Kosovën e mban pengë Serbia sa me mosnjohjen e pavarësisë, po aq edhe me instrumentalizimin e disa politikanëve serbë të Kosovës për ta mbajtur gjendjen gjojakonfliktuoze dhe për ta mbajtur gjallë krimin në pjesën e veriore të Kosovës, duke penguar policinë e Kosovës të kontrollojë sipas ligjit ashtu sikurse pjesët e tjera të vendit. Vallë, nuk e di këtë E. Rama!?

Serbia, më 20-30 shtator 2021, haptazi bëri provokime ushtarake ndaj Kosovës, dhe nuk ishin aspak “shfaqje teatrale nga Serbia” sikurse i pati quajtur E. Rama, por ishin kërcënim serioz, sa që u implikua edhe amabsadori rus, e si rrjedhojë, u dasht KFOR-i të marrë kontrollin për një periudhë të shkurtë kalimtare, si një hap për të parandaluar një konflikt që vetëm sa nuk shkrepi. Vallë, këtë nuk e kuptoi as më pas E. Rama dhe e konsideron satirën e tij si kulmin e vlerësimit!?

Dhe Serbia nuk i ndalë provokimet e nxitjet kundër Kosovës, si me deklata kërcënuese me luftë ndaj Kosovës, ashtu edhe duke i nxitur politikanët e “Listës serbe” për të luajtur rol minues ndaj institucioneve, kur vetë ministri i Kosovës, Rakiq nxit kamionët e kompanisë së vet të bllokojnë rrugët duke supozuar se përsëri policia e Kosovës do të ndërmerrte aksion kundër kontrabandës e krimit në veriun e Kosovës. Nuk i di E. Rama këto, dhe shumë të tjera si këto?

Vazhdimisht Serbia ka nxitur trazira ndaj shteteve fqinje. Në Kosovë, e bëri duke demonstruar hapur dhunën ushtarake në shtator 2021. Aktualisht, në Bosnjë-Hercegovinë përmes Dodik po përgatitet luftë. Vallë, i ka harruar këto E. Rama!? Apo përderisa Bashkimi Europian shqetësohet, E. Rama konsideron se nikoqiri i tij i Beogradit vetëm po “bën shaka” dhe me pamjet glamuroze në darkë t’ia përmirësojë imazhin agresiv!

Edi Rama, si kryeministër i Shqipërisë, jo vetëm se i di të gjitha këto, por ai edhe është në rrjedhë të tyre. Por përse ai ka zgjdhur ta injorojë këtë, kjo është çështja.

Unë nuk e besoj se ai është naiv, e aq më pak se nuk i njeh gjeopolitikat e regjionit, vetëm se mbetet për t’u parë shtytja e veprimit të tij.

Ajo që duhet ta rimendojë Edi Rama është që të mos e etiketojë Kosovën se ka “arsye të mosarsyes”, në vend të kësaj do të duhej të bisedonte pa dorashka me “trininë” e Kosovës.  Sepse t’i bëhet ftesë Kosovës të jetë pjesë e një nisme regjionale, ku nuk ka asnjë garancion as nga BE e as nga SHBA, nuk është mençuri politike, pasi që i bëhet ftesë të integrohet si koloni, por jo si shtet i pavarur. Se ka motiv ta bëjë këtë Vuçiq është e qartë, por për mua është krejt absurde që Edi Rama bëhet kalorës i Vuçiqit, presidentit serb që është implementuesi i politikës neoserbomadhe të proklamuar si “bota serbe”, dhe i cili mban qëndrim konstant armiqësor ndaj Kosovës!

Unë nuk e shoh se kështu i shërbehet së ardhmës paqësore, stabile dhe të sigurtë të rajonit. E kundërta, po. Edi Rama do të duhej të kushtëzonte Serbinë me njohjen e Kosovës, për t’u bërë pjesë e “Ballkanit të Hapur”. Sigurisht, po të ndodhte kjo, atëherë po, do të kishte kuptim “Ballkani i hapur”. Ose, të paktën po të vihej si garantues i mbarëvajtjes BE ose SHBA. Por, kur as njëra e as tjetra nuk kanë ndodhur, dashje padashje, i çohet ujë mullirit neoshovinist serb, duke iu bashkëngjitur një bashkëpunimi rajonal gjoja të hapur, kur Serbia është konfliktshkaktuesja e vetme në regjion dhe njëherit është jo vetëm dominuesja por edhe determinuesja e “Ballkanit të Hapur”.

Prandaj, në sytë e mi, isoja që E. Rama i mbajti A. Vuçiq duket si një përkëdhelje e ujkut (të pazbutur) për ta paraqitur sikur ai të ishte i parrezikshëm si një qengj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë i informon qytetarët e Republikës së Kosovës…