A rrezikon të shkarkohet Biden pas zgjedhjeve të nesërme në Kongres?

07 nëntor 2022 | 21:22

Presidenti Biden ka deklaruar se pret të shkarkohet po humbi zgjedhjet e nesërme. Por kjo nuk është e gjitha. Një sërë gjërash pritet të ndryshojnë nëse nesër fitojnë Republikanët. Ja cilat janë ato.

Ditën e nesërme, votuesit amerikanë do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin për gjysmën e fundit të mandatit të Presidentit Biden.

Rezultati i zgjedhjeve për Kongresin pritet të përcaktojë vetë të ardhmen e qeverisjes amerikane gjatë 2 viteve të ardhshme.

Nëse Republikanët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit (Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve), kjo do ta vështirësonte miratimin e çdo lloj nisme, përveç atyre që gjejnë dakordësinë e të dyja partive.

Aktualisht, Demokratët i kontrollojnë të dyja dhomat – dhe e kanë bërë këtë që prej vitit 2020 – por sondazhet parazgjedhore favorizojnë Republikanët për fitoren e të dy dhomave.

Inflacioni, kriza energjetike, rreziku i një recesioni dhe lufta janë në krye të gjërave që shqetësojnë amerikanët dhe të gjitha këto kanë qenë tradicionalisht pika të forta të Republikanëve, jo Demokratëve. Veç kësaj, një tjetër disfavor për Demokratët është humbja e mbështetjes së fundmi për presidentin Joe Biden i cili sipas sondazheve, ka pësuar një rënie të popullaritetit, ku më shumë se 40% të amerikanëve janë të pakënaqur me mënyrën se si ai ka qeverisur 2 vitet e fundit.

Çfarë ndodh nëse Repulikanët fitojnë Kongresin?

Nëse këto zgjedhje i fitojnë Republikanët ata do të kenë në dorë shumëçka duke nisur nga rrëzimi i çdo procesi hetimor ndaj ish-presidentit Donald Trump, duke nisur nga hetimi i përfshirjes së tij në trazirat e 6 janarit kundër Capitol Hill apo ‘zhdukja’ e dokumenteve zyrtare që pasojë bastisjen e rezidencës së tij në Maro-Largo. Ndalimi i këtyre hetimeve, thuajse do ta garantonte ri-kandidimin e Trump në vitin 2024, gjë që Demokratët po bëjnë të pamundurën ta ndalojnë.

Ama përveç ndalimit të hetimeve, nëse fitojnë Republikanët do të kenë mundësi edhe të nisin shumë hetime të reja praktikisht kundër çdo amerikani të mundshëm. Një ndër ta është edhe djali i presidentit, Hunter Biden.

Hunter Biden

Ka disa histori të ndërlikuara që lidhen me djalin e presidentit të cilat shqetësojnë por edhe e gjallërojnë të djathtën. Ai thuhet se ka lënë një laptop në një nga dyqanet e Delaware përpara zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilin thuhet se kanë ‘futur duart’ aleatët e Trump.

Përmbajtja e këtij laptopi, sipas tyre, mund të vërtetojë se ai ka përfituar miliona dollarë për shkak të emrit dhe lidhjeve të tij – një prej tyre në një kompani energjetike në Kinë dhe një tjetër, në një kompani gazi në Ukrainë. Agjentët federalë besojnë se ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar atë, raportojnë Devlin Barrett dhe Perry Stein. Por me t’u bërë president, babai i tij ndali çdo lloj hetimi.

Sipas mediave amerikane, prokurorët federalë thuhet se kanë mbledhur prova të tjera për ta akuzuar atë për krime tatimore si dhe për një deklaratë të rreme në lidhje me blerjen e armëve.

Shkarkimi i Bidenit

Hetime të tjera që mund të legjitimojnë Republikanët janë edhe kundër vetë presidentit Biden. Ato përfshijnë hetime për të zbardhur atë që ata e quajnë manipulim të zgjedhjeve të vitit 2020 – edhe pse deri tani asgjë e tillë nuk është provuar.

Një tjetër hetim që ata mund të iniciojnë kundër Biden është largim i beftë i amerikanëve nga Afganistani që përfshinë akuza për papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë amerikane ndaj qytetarëve amerikanë por edhe aleteve të tyre.

Këto janë vetëm disa nga drejtimet që mund të merrte agjenda e Republikanëve me fitoren e Kongresit por të gjitha ato do të kishin 2 qëllime kryesore. Njëri prej tyre është sigurisht prishja e imazhit të z.Biden në mënyrë që Demokratët ta kenë të vështirë të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, por sigurisht një qëllim i dytë mund të jetë edhe vetë shkarkimi i hershëm i tij nga pushteti.

Vetë Biden tha ditën e enjte se ai ishte i bindur se ‘nëse Republikanët fitojnë Kongresin ai do të shkarkohej’. Kjo ama nuk është edhe aq e thjesht sa duket. Në mënyrë që presidenti amerikan të shkarkohej do të duhet jo vetëm të kalonin shumë procese të cilat do të merrnin një kohë të gjatë, por Republikanët gjithashtu do të duhet të mblidhnin mjaftueshëm vota në një Senat i cili aktualisht e ka një shumicë të konsiderueshme demokrate/euronews

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për…