AAK-ja në Klinë përfshin drejtorin e arrestuar në listën për asamblistë

15 gusht 2021 | 23:06

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Klinë, në listën e saj zgjedhore e ka përfshirë edhe drejtorin e arrestuar të urbanizmit, Lorenc Marlekun, i cili është pjesë e strukturave të AAK-së.

Marleku është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar lidhur me ndërtimet e paligjshme në këtë komunë dhe aktualisht po mbahet në arrest shtëpiak.

Demokracia.com ka siguruar listën preliminare për asamblistë të AAK-së së Klinës dhe në numrin rendor 7 figuron edhe Lorenc Marleku, që ishte arrestuar në muajin e kaluar në aksionin e Policisë së Kosovës në tri komuna të Dukagjinit, konkretisht në Komunës e Pejës, atë të Klinës dhe në Komunën e Istogut.

“Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunalë lidhur me ndërtimet e paligjshme. Për këto veprime në terren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Pejës, raporton Demokracia.com.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Klinë, në raundin e parë kishte prirë Sokol Bashota i PDK-së me gjithsej 6,816 ose 37,76%, duke u pasuar nga Zenun Elezaj i AAK-së me gjithsej 4,594 vota ose 25,45% dhe vazhduar më pas me Besim Hotin e LDK-së me 4,211 vota ose 23,33%, Iber Elezajn e Lëvizjes Vetëvendosje me gjithsej 1,306 vota ose 7,23%, Nezir Gashin e Nismës për Kosovën me 763 vota ose 4,23% dhe Avni Gashin e AKR-së me 363 vota ose 2,01%.

Në balotazh kishin shkuar Sokol Bashota i PDK-së dhe Zenun Elezaj i AAK-së, i cili pas një marrëveshjeje politike në nivel lokal ndërmjet AAK-së, LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën kishte arritur të grumbullonte 8,397 vota dhe të fitonte me 51,62%, duke lënë pas Sokol Bashotën e PDK-së me 7,869 vota ose 48,38%. /Demokracia.com/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti taleban drejtoi një konferencë shtypi brenda Pallatit Presidencial në…