Abazaj: Çmimet e tatimit në pronë janë rritur edhe mbi 100%

24 janar 2023 | 20:20

Për rritjen e çmimeve të tatimit në pronë, e cila shkaktoi reagime të shumta si nga figurat politike e publike, e po ashtu edhe nga qytetarët, ka folur edhe Jeton Abazaj, drejtor i Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Financave.

Abazaj për emisionin Info Magazine në Klan Kosova nuk është pajtuar me deklaratën e mëhershme të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se në caktimin e normave tatimore, kjo ministri vetëm asiston.

“Nuk pajtohem me ministrin, i cili deklaroi pak më herët se Ministria e Financave asiston. Ministria e Financave nuk asiston, mirëpo del dhe analizon të gjitha pronat në zonat e Republikës së Kosovës, ku  në shumë komuna nuk kanë asnjë anëtar të vetin. Mirëpo, vetëm ta sqarojmë se kjo ministri ka përgjegjësi për vlerësimin e zonave, ku me vlerësimin e tyre është angazhuar deri më 31 dhjetor, siç e parasheh edhe ligji. Ka komuna që kanë pasur ankesa, mirëpo nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Ministria e Financave”, ka deklaruar Abazaj.

Ai shton se përqindjen e normës tatimore e cakton vetëm komuna nga ajo minimale prej 0.15% deri në 1%.

“Të gjitha këto i ka përcaktuar ligji 06L005 dhe neni 9 thotë se komunat vetëm caktojnë normën e tatimit në pronë, ku edhe këtu ka kufi, që sipas ligjit komunat kanë të drejtë të caktojnë këtë normë nga 0.15 deri 1 %. 38 komuna të Kosovës janë nën vlerën minimale, madje në rastin e Pejës ne kemi pasë normë tatimore prej 0.16 dhe e kemi zvogëluar në 0.15 për qind”, tha ai.

Abazaj theksoi se vlerësimi i pronave bëhet nga Ministria e Financave dhe kur vlerësimi për metër katror dhe përqindja e normës tatimore shumëzohen mes veti na japin totalin e faturës të tatimit në pronë, si banesore apo rezidenciale.

“Ka raste kur ka rritje prej 80 për qind deri mbi 100 për qind të çmimeve në pronë”. u shpreh ai.

Sipas tij, këto çmime janë më të shtrenjta se në Shqipëri dhe rajon, duke marrë parasysh që ndodhemi në vit të inflacionit, ku nuk ka pasur asnjë ndryshim në të ardhura dhe janë rritur shpenzimet komunale.

Abazaj përmendi se Kolegjiumin, të cilin e drejton, ka bërë sot reagim zyrtar dhe ministri ka të drejtë të pezullojë vendimin e rritjes së normës tatimore të vlerësimit , meqenëse ka pas raste kur shumë ministra të financave kanë marrë vendime të tilla. Ai sugjeron që të ketë përshpejtim të ligjit në Kuvendin e Kosovës që të ulet norma e tatimit më pak se 0.15%.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së sotme, ka pasur disa ankesa të qytetarëve…