Gërxhaliu: Ngritja e tatimit në pronë, e papërballueshme për qytetarët

24 janar 2023 | 20:15

Gjatë ditës së sotme, ka pasur disa ankesa të qytetarëve se është dashur të paguajnë më shtrenjtë për tatimin në pronë.

Ministria e Financave ka dalë me një sqarim duke thënë se në vitin tatimor 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimit të tokave.

“Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar”.

Mirëpo ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se një ngritje e tatimit në pronë prej 100 për qind, do ta dëmtojë sektorin privat dhe qytetarin.

Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se një vendim i tillë do të duhej të pezullohej dhe të përpilohet përmes një dialogu të mirëfilltë.

“Një vendim i tillë nuk duhet të analizohet vetëm në aspektin ekonomik dhe social, por edhe në aspektin emocional. Si e ndjejnë veten sot qytetarët e Kosovës kur ballafaqohen me rëndime të tilla”?.

Sipas tij, është koha kur duhet të kuptohet që për t’i zgjedhur problemet, dialogu është arma më e fuqishme.

“Një vendim i tillë në këtë kohë është mjaft i rrezikshëm. Nuk është një vendim i cili e godet vetëm qytetarin, por e godet edhe sektorin privat, në veçanti e godet një sektor që ka qenë garanci e gjenerimit, punësimit, tregtisë dhe aktiviteteve”.

“Është një vendim që duhet vërtetë të rishikohet, analizohet, të pezullohet dhe tek atëherë të procedohet me ligjin e miratuar në vitin 2022”.

Tutje, Gërxhaliu shton se është koha që ministria e Financave një vendim të tillë ta pezullojë dhe ta avancojë me një dialog i mirëfilltë me drejtoritë për ekonomi në nivelin komunal në mënyrë që të gjendet një modalitet që është në interes të të dyja palëve.

“Përndryshe një ngritje prej 100% e tatimit në pronë, pa paralajmërim është vërtetë diçka që do ta dëmtojë edhe sektorin privat, por edhe qytetarët e Kosovës sepse në këtë kohë të inflacionit do të jetë i papërballueshëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur qëndrimin…