Abazi: Vendosa për Prishtinën sepse është klubi më i madh në Kosovë

06 gusht 2019 | 11:19

Prishtina e prezantoi të hënën futbollistin Leonit Abazi, kurse zyrtarizoi edhe dy largime Argjend Mustafën dhe Bleon Sekiraqën. Abazi pas prezantimit si futbollist “bardheklatër” ka deklaruar: “Vendosa për Prishtinën sepse është klubi më i madh në Kosovë, klubi më i trofeshëm dhe me ambicie shumë të mëdha”.

Skuadra e Prishtinës ka bërë një transferim jashtëzakonisht të madh të hënën, pasi nga futbolli i Shqipërisë e ka rikthyer sërish në futbollin e Kosovës Leonit Abazin. 26-vjeçari nga Gjilani në korrik të vitit 2013 kishte kaluar te Skënderbeu i Korçës, duke arritur të fitojë shumë trofe dhe më pas luajti edhe në grupet e Evropa Ligës. Futbollisti gjilanas ka zhvilluar me skuadrën shqiptare plot 123 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola. Pas prezantimit si lojtar i Prishtinës, Abazi ka folur për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas, duke thënë se e ka pranuar ofertën e kësaj skuadre, pasi është më e madhja në Kosovë. “Vendosa për Prishtinën, sepse është klubi më i madh në Kosovë, klubi më i trofeshëm dhe me ambicie shumë të mëdha dhe kjo ishte arsyeja më e madhe e kësaj zgjedhje. Sigurisht që pres titullin kampion me Prishtinën, aty ku e ka vendin klubi dhe të ecim sa më lart në Evropë. E njoh ekipin e Prishtinës, e kam përcjell edhe sa isha në Shqipëri sikurse edhe kryetrajnerin Josa të cilin e kam pasur trajner edhe te skuadra e Skënderbeut. Është trajner me përvojë dhe kam respekt të madh për të”, ka thënë Abazi.

Skuadra e Prishtinës të hënën zyrtarizoi edhe shkëputjen e marrëveshjes me mesfushorin Argjend Mustafa. Kontrata e mesfushorit në fjalë ishte e vlefshme edhe për dy vjet, por ajo është ndërprerë me marrëveshje të dyanshme. Përveç Mustafës, nga skuadra e Prishtinës është larguar edhe Bleon Sekiraqa, i cili karrierën do të vazhdojë në skuadrën e Ballkanit nga Suhareka. “Mustafa ishte transferuar edicionin e kaluar nga Trepça ’89, kurse me skuadrën kryeqytetase ka regjistruar 29 paraqitje (10 zëvendësuar, 9 zëvendësues) duke asistuar në dy gola. Ndërsa Bleon Sekiraqës i ka skaduar kontrata dhe është futbollist i lirë. Sekiraqa është fëmijë i Shkollës së Futbollit, ndërsa me Prishtinën ka regjistruar 5 paraqitje si zëvendësues, ndërkohë e ka edhe një paraqitje në garat ndërkombëtare kundër Norkoping (0:1)”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Prishtinës.

Skuadra që drejtohet nga Mirel Josa edicionin e fundit dështoi në garën për titull, por edhe në Kupë. Ajo mori pjesë në Ligën e Evropës si nënkampione e Kosovës, derisa nuk arriti ndonjë rezultat për t’u veçuar, kurse në edicionin e ri 2019/2020 ka synim të shpallet kampione e Kosovës.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mëngjesin e sotëm, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka…