Abazoviqi i dërgon telegram ngushëllimi Qeverisë së Kosovës

27 korrik 2021 | 16:14

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Qeverisë së Kosovës për vdekjen e 10 personave në aksidentin tragjik që ka ndodhur të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë, ku është aksidentuar një autobus i cili po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë.

Në telegramin e ngushëllimit, Abazoviqi ka thënë se Qeveria e Malit të zi e ka pranuar me keqardhje lajmin.

“Ne morëm me keqardhje lajmin për aksidentin tragjik trafiku që ndodhi në Kroaci, ku dhjetë nga shtetasit tuaj u vranë dhe dyzet e katër u plagosën. Ne bashkëndiejmë me familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Abazoviqi.

Telegrami është dërguar në adresë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, dje më 26 korrik.

Numri dy i ekzekutivit malazez ka theksuar se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për rastin, ka njoftuar Qeveria e Malit të Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një stuhi rëre ka kaluar nëpër një qytet në veriperëndim…