Abdixhiku: Alush Gashi ishte një kujtesë e gjallë e Kosovës sonë moderne

21 maj 2026 | 13:25

Nën patronatin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është mbajtur mbledhje komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar, anëtarit të Kryesisë, një prej themeluesve të LDK-së e bashkëpunëtorit të ish-presidentit Rugova, prof. Alush Gashi.

“Në vitet tona të afërsisë, pata fatin të ndaj me profesor Alush Gashin shumë udhëtime. Kryesisht në qendra të mëdha botërore; në Washington, Londër, Paris, Bruksel, Berlin e gjetiu; në institucione ku vendosen fatet e kombeve të vogla si i yni. Dhe në secilin prej atyre udhëtimeve, unë nuk po udhëtoja vetëm me një bashkëpunëtor politik. Po udhëtoja me një kujtesë të gjallë të Kosovës sonë moderne”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se udhëtimet nuk mbeten vetëm kujtime institucionesh e takimesh. “Mbetën mbi të gjitha kujtime bisedash. Do të shkruaj një ditë për to. Kam çka flas. Ishin biseda të gjata, të ngrohta, shpesh të qeta, shpesh plot humor, që vetëm miqtë e vërtetë dinë t’i kenë. Flisnim për politikën, natyrisht. Për Kosovën, për LDK-në, për njerëzit, për kohët që kishin kaluar e për kohët që po vinin. Por po aq shpesh flisnim për jetën, sfidat dhe të bukurat e saj”.

“Dhe në ato biseda e kuptoje se sa i thellë ishte si njeri. Ishte një ‘jack’! Fliste, po ashtu, me një mburrje të bukur për dy djemtë e tij, Anilin dhe Arbanin. Ishte ajo mburrja e qetë e një babai që nuk ka nevojë të stërmadhojë asgjë, sepse krenaria i dilte natyrshëm prej zemrës. E shihje në sy sa shumë i donte, sa shumë i admironte, sa shumë e shihte veten tek ata. Dhe po aq bukur fliste për Ilirianën – me një dashuri të qetë, të thellë, të pashfaqur me shumë fjalë, por të dukshme në secilën fjali të tij. Kishte diçka shumë njerëzore në mënyrën si fliste për familjen. Të kujtonte se, pavarësisht gjithë historisë që mbante mbi supe, në fund mbetej një njeri i familjes së vet. Dhe po, kemi qeshur shumë bashkë. Në ato të qeshurat tona e humorit të zi, i kam premtuar, që do ta ja bëja një fjalim të bukur në Akademi Mortore një ditë. Profesor, nuk e kam menduar kështu. Jo kaq herët. Jo kaq papritur. Jo pa u përshëndetur. Por jeta s’na pyet, as mua e as ty. Dhe ndoshta kjo është pjesa më e vështirë e lamtumirave. Sepse ka njerëz që nuk të mungojnë vetëm në kujtesë. Të mungojnë në përditshmëri”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nido Montessori School, Sh.P.K. me seli në Prishtinë, shpal të…