Abdixhiku: Fahrije Hoti dhe gratë e ‘Kooperativës Krusha’ janë inspirim nacional

06 tetor 2022 | 11:52

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vizituar “Kooperativën Krusha”, ku është pritur nga pronarja e kësaj kooperative, Fahrije Hoti.

Me këtë rast, Abdixhiku ka thënë se Fahrije Hoti dhe gratë e “Kooperativës Krusha” janë inspirim nacional.

“Përpjekja e tyre për ngritje pas luftës që u mori të gjitha, është tregim që duhet rrëfyer gjeneratave të ardhshme në vazhdimësi. Nëpërmjet filmit ‘Hive’ ky tregim po i rrëfehet dhe botës tani. Duhet qëndresë prej guri e kurajo prej më të rrallave për të kapërcyer dhimbjet e luftës e për të ndërtuar një kooperativë si kjo.  Por në Krushë të Madhe nuk ishim vetëm për këtë rrëfim. Aty qëndrova me bashkëpunëtorë për të kuptuar nga afër problemet e gjithë zinxhirit prodhues. Sot, mbi 50 gra të Krushës së Madhe janë të punësuara në kooperativë. Mbi 100 fermerë nga rajoni janë pjesë e prodhimtarisë. Nga ajvari e specat me kos – janë dhe 28 produkte të tjera që prodhohen aty. Mbi 80 për qind  e produkteve eksportohen në Evropë – pjesa tjetër në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Ai ka theksuar se kjo kooperativë nuk arrin t’i përmbushë sot kërkesat që i vijnë nga jashtë. “Jo sepse nuk do, por sepse nuk mundet. Fermerët janë të pambrojtur, grantet janë larg, burokracia e letrave është e rëndë – aq e rëndë sa që nga viti 2015 kanë zgjedhur fare të mos aplikojnë. Po të ndihmohej kjo kooperativë me teknologji, po të mbështeteteshin fermerët në kultivim, po të kishte stabilitet në furnizim energjetik – kjo kooperativë, përveç se do t’i shtonte shitjet jashtë, do të rriste edhe punësimin për më shumë gra e shumë fermerë brenda në Kosovë”, ka shkruar kryetrari i LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njeriu i parë i basketbollit në botë, Andreas Zagklis po…