Abdixhiku me bashkëpunëtorë shkon në Velani për ta përkujtuar Rugovën në ditëlindjen e tij

02 dhjetor 2022 | 13:02

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bashkë me zyrtarë të lartë të partisë kanë qëndruar sot tek familja Rugova për ta kujtuar presidentin Ibrahim Rugova me rastin e 2 dhjetorit, ditës së lindjes së themeluesit të LDK-së.

Abdixhiku e ka quajtur Rugovën si ati themeltar i shtetit të Kosovës dhe prijësi historik i lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci.

Më tutje, ai ka thënë se rruga që kishte ndjekur Rugova mbetet bindje për secilin në LDK. Abdixhiku thotë se qëndrimet dhe rruga politike që kishte ndjekur Rugova mbesin jetike dhe të pazëvendësueshme edhe në ditët e sotme.

Shkrimi i plotë i Abdixhikut:

Presidenti ka vetëm ditëlindje!

78 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të Kosovës e prijësi historik i lëvizjes më të madhe shqiptare për liri, pavarësi e demokraci.

Rugova rrjedh nga një familje e përndjekur shqiptare. Shërbimet jugosllave i kishin vrarë dhe zhdukur babën dhe gjyshin e tij. Prandaj dhe ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. Pasi kishte përfunduar shkollimin fillor në Istog, dhe atë të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova kishte vazhduar studimet në Prishtinë për të doktoruar aty në vitin 1984 në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”. Para doktorimit, Rugova kishte marrë titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanologjik; ndërkaq, në fund të viteve të 70-ta, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes ndoqi studimet mbi letërsinë në Paris.

Studimet dhe krijimet e tij letrare u ndërprenë nga thirrja monumentale e shqiptarëve të Kosovës për të krijuar e udhëhequr lëvizjen më të madhe shqiptare në Kosovë, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nga aty, ai ndërtoi dhe la si trashëgimi rrugën e vetme për liri, pavarësi e demokraci.

Kjo rrugë sot mbetet bindje për secilin prej nesh në LDK. Vlerat e bindjet e shtruara nga ai, do t’i kultivojmë në çdo hap të veprimit tonë politik. Në rrethanat e sotshme, sikurse në çdo rrethanë jetike deri tani, ato mbesin thjeshtë të pazëvendësueshme. Kosova shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me ShBA-të – mbetet qëllimi ynë.

Në këtë datë të lindjes së tij, së bashku me Nënkryetarët, Sekretarin dhe Kryetaren e Forumit të Gruas, vizituam familjen Rugova; zonjën Fana dhe anëtarët e tjerë. Presidenti ka vetëm ditëlindje, prandaj dhe ky 2 dhjetor për ne ishte shënim me festë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni 2023 i Formula 1 mund të nisë me një…