Abdixhiku takohet me ambasadorin britanik, bisedojnë për zhvillimet politike dhe zgjedhjet e 7 qershorit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, siç ka njoftuar LDK-ja, Abdixhiku dhe ambasadori Hargreaves kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe rëndësinë e një procesi demokratik, të lirë dhe të rregullt zgjedhor.
Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Hargreaves për fushatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktivitetet intensive që po zhvillohen anembanë Kosovës, si dhe për entuziazmin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme qytetare që po e përcjellin këtë proces zgjedhor në çdo qytet e komunë të vendit.
Ai ka prezantuar edhe prioritetet dhe programin qeverisës të LDK-së për këto zgjedhje.
Me këtë rast, Abdixhiku, ka shprehur mirënjohjen ambasadorit Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në proceset më të rëndësishme shtetformuese, demokratike dhe euroatlantike.



