ABDYL BAJRAMI, GANI NEZIRI DHE BERAT TERZIU, LUFTËTARËT E UÇK-SË QË QËNDRUAN NË SHTËPINË BAZË TË UÇK-SË NË STUBËLL TË VITISË
Në ditët më të rënda dhe më vendimtare të luftës së armatosur çlirimtare të Kosovës, kur çdo hap kërkonte guxim, besim, siguri maksimale dhe sakrificë sublime, Shtëpia Bazë e UÇK-së në Stubëll të Vitisë, për drejtuesit e SHIK-ut të ZOK-ut e Brigadës 173 “Gursel e Bajram Sylejmani” të UÇK-së u shndërrua në një fortifikatë besnike e të heshtur të lirisë!
Ajo u bë një nga ato vatra të shenjta shqiptare ku rrihte e sigurt zemra e organizatorëve ushtarakë çlirimtar dhe ku ideali i çlirimit mbrohej me nder e me besë shqiptare!
Në atë shtëpi qëndruan luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Abdyl Bajrami, Gani Neziri dhe Berat Terziu, në atë kohë kur në shtëpitë e tyre i kishte rrethuar policia serbe dhe ua kontrollonte dhe i kërkonte me pishë për t’i arrestuar dhe vrarë me çdo kusht!
Ata nuk ishin vetëm ushtarë të armës, por edhe bartës të përgjegjësive të mëdha në organizimin dhe drejtimin e luftës së armatosur çlirimtare!
Ishin njerëz që mbi supet e tyre mbanin barrën e misioneve të rëndësishme për suksesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontin e luftës për çlirim nga Serbia pushtuese!
I zoti i kësaj shtëpie, Baca Pal Ramaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Nënë Lizën, ua hapi dyert luftëtarëve të lirisë me besimin e madh se po i shërbente Atdheut dhe çlirimit të tij nga zgjedha e okupimit serb!
Familja Ramaj nuk ofroi vetëm strehim për bijtë e mëdhenj dhe besnikë të popullit, Atdheut dhe Kombit!
Shtëpia shqiptare katolike, Shtëpia Bazë e UÇK-së për djemtë e luftës ofroi mbrojtje, besnikëri, përkushtim dhe siguri, duke u kthyer në një bastion të pathyeshëm të luftës së UÇK-së!
Në këtë vatër origjinale shqiptare gjetën sigurinë dhe qetësinë e domosdoshme për veprim dhe drejtim ushtarak edhe dy nga drejtuesit më të rëndësishëm të strukturave të G-2 të Zonës Operative të Karadakut dhe të Brigadës 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”!
Besimi që u ishte dhënë nga familja Ramaj, ishte po aq i fuqishëm sa edhe armët që luftëtarët mbanin në duar dhe i kishin të gatshme në çdo çast për përleshje me forcat ushtarako-policore pushtuese serbe!
Baca Pal, Nënë Liza dhe nëntë fëmijët e tyre, katër vajzat dhe pesë djemtë, u bënë shoqëruesit e heshtur të një misioni historik në luftën e UÇK-së!
Shtëpia Bazë e UÇK-së në Stubëll të Vitisë nuk ishte një adresë e thjeshtë e një shtëpie të rëndomtë shqiptare, por e një familjeje origjinale atdhetare kombëtare!
Ajo ishte e gatshme të shndërrohej në çdo çast në një fortesë të luftës çlirimtare, në një shkollë të besës shqiptare dhe në një simbol të unitetit të popullit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!
Në Shtëpinë Bazë të UÇK-së në Stubëll të Vitisë, u dëshmua se fitoret nuk lindin vetëm në vijën e zjarrit, por edhe në shtëpitë shqiptare që u bënë fortifikata të lirisë!
Historia e luftës çlirimtare brenda saj do ta ketë të shkruar edhe emrin e familjes Ramaj të Stubëllës së Vitisë, e cila ishte e gatshme me Shtëpinë e saj Bazë të UÇK-së, ta ngriste ashtu sikur e ngriti mikpritjen në nivel misioni kombëtar dhe e bëri shtëpinë e saj një pjesë të pandashme të rrugës heroike e historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt lirisë, çlirimit dhe Pavarësisë së Kosovës nga okupimi serb!
Emri i kësaj familjeje do të mbetet i gdhendur me nder në kujtesën historike të luftës sonë çlirimtare, si një kullë shqiptare ku besa, Atdheu dhe liria u bënë një dhe u ofruan pa hezitim në shërbim të luftës për largimin e okupuesit serb nga Kosova!
Ish-Zëdhënësi i ZOK të UÇK-së,
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 5 Korrik 2026!




