“Abi Çarshia” paraqet kallëzim penal për rrënim të objektit

22 korrik 14:15

Drejtoria e Inspektorateve në komunën e Prizrenit këto ditë ka zhvilluar një aksion për rrënimin e një pjese të objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia” në rrugën “Tirana”.

Në këtë aksion më pas u përfshinë edhe disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën gjë, pati edhe reagime nga të dyja palët.

Sot në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) është mbajtur një konferencë për medie, në të cilën janë shpalosur detaje të rrënimit të kësaj pjese të objektit në “Abi Çarshia”.

Avokati i kompanisë “Abi Çarshia”, Taulant Hodaj, ka thënë se Udhëzimi Administrativ i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për legalizim të objekteve është publikuar në gazetën zyrtare, mirëpo sipas tij, edhe përkundër kësaj komuna e Prizrenit është përgjigjur se nuk ka marrë njoftim, për çka kompania “Abi Çarshia” është përballur me probleme të ndërtimit. “Ndërtimi i ‘Abi Çarshia’ është komplet i ndërtuar në pronë private të kompanisë dhe nuk qëndron asnjë fakt se aty ka qenë pronë publike. Asnjë centimetër nuk është pronë publike. Në vitin 2004 ka qenë një plan që të kalojë një rrugë aty për qoshe dhe kurrë nuk kanë qenë të njoftuar pronarët e kompanisë për këtë plan. Është marrë leja për ndërtim dhe kompleksi ka përfunduar në qershor të vitit 2018. 15 për qind është tejkalim i lejes së ndërtimit. Ky është objekti i vetëm që ka marrë leje për ndërtim dhe asnjë tjetër në Prizren nuk ka leje ndërtimi. Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje thotë se ‘çdo ndërtim i përfunduar duhet të trajtohej para datës së hyrjes në fuqi’. Udhëzimi administrativ është nënshkruar nga ministri në vitin 2019 dhe ka hyrë në fuqi. Prej kësaj date e kemi mbledhur dokumentacionin. Kemi aplikuar më 18.7, 2019, komuna e Prizrenit na ka lëshuar një kopje dhe thotë se: ‘nuk jemi të njoftuar se ka udhëzim administrativ’, ndërsa ai është publikuar në gazetën zyrtare. Në përgjigjen e komunës thuhet se komuna e Prizrenit nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga MMPH-ja për legalizim”, ka deklaruar Hodaj.

Ai ka shtuar se tashmë kjo çështje është dërguar në gjykatë. “Udhëzimi administrativ ka hyrë në fuqi dhe është publikuar në gazetën zyrtare. Jemi në procedurë të trajtimit në gjykatë për kompensim dhe është dërguar kallëzim penal ndaj personave që kanë bërë këtë veprim”, është shprehur Hodaj.

Sa i përket përleshjes së aktivistëve të LV-së, avokati Hodaj ka theksuar se kjo ka ndodhur spontanisht dhe ka mohuar të këtë pasur urdhër nga pronarët apo menaxhmenti i “Abi Çarshia” për t’i sulmuar ata.

Sipas tij, përderisa ndodhte rrënimi, aktivistët e LV-së kanë hyrë duke duartrokitur, gjë që, sipas Hodajt, ka shkaktuar dhe konfrontime të rastit.

“Është për keqardhje që i jepet konotacion politik. Atë ditë nuk kam qenë aty, por aktivistët kanë hyrë në pronë private dhe kur ka filluar të rrënohet objekti ata kanë duartrokitur. Aty është krijuar një përleshje. Nuk e di çfarë kërkojnë aktivistët në pronë private. Sa u përket deklarimeve në medie se ata janë kërcënuar nga punonjës të ‘Abi’-it kjo është dezinformatë politike. Aty ka mllef të jashtëzakonshëm. Kanë kërkuar falje publike,  por asnjë zyrtar i ‘Abi’-it nuk është i përfshirë. Janë dezinformime politike”, ka deklaruar  avokati Hodaj.

 

/Epoka e re/ A. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka njoftuar se do të vendosë detyrime anti-dumping për…