Ademi: E mendojmë seriozisht kualifikimin në ‘Euro 2020’

11 qershor 2019 | 00:02

Agim Ademi, kryetari i FFK-së, në një bisedë për KTV-në, ka thënë se Kosova pati dy ndeshje të mëhershme që meritoi t’i fitonte, por që s’e deshi fati.

“Por fitorja erdhi në ndeshjen e tretë. Kjo ishte mrekulli. Fitore jashtëzakonisht e madhe. Shpresoj se do të vazhdojmë me krenari e përgjegjësi. Me këtë ndeshje e mendojmë seriozisht kualifikimin në Evropë”, tha Ademi, raporton Koha.net.

“Kemi bërë një grup kaq të mirë dhe familjar, të lidhur aq shumë mes veti që s’u intereson se kush luan, por u intereson fitorja. Rashica është në formën e tij më të mirë, por edhe të tjerët janë shumë mirë, s’mund t’i ndajë”, u shpreh kreu i FFK-së.

Duke folur për gjendjen e nënkryetarit të FFK-së, i cili para ndeshjes pati telashe me shëndetin, Ademi tha se ai është mirë.

“Nënkryetari është mirë, gjendet në spital në kontrollet përfundimtare. Do të kthehemi bashkë në shtëpi”, tha ai.

Ndërkaq, për një incident që ndodhi tek vendi ku ishin të ulur zyrtarët e Kosovës, Ademi tha se ishte një incident nga tifozët bullgarë, por që përfundoi me ndërhyrjen e policisë.

“Incidenti që ndodhi erdhi pasi kjo ishte ndeshje e rëndësishme për Bullgarinë. Disa tifozë nuk u përmbajtën, por reagoi policia. S’ka rëndësi ky incident në raport me rezultatin”, deklaroi Ademi.

Mësohet se një tifoz ka hedhur një shishe në drejtim të zyrtarëve të Kosovës, ku ishin Shpend Ahmeti dhe Ramiz Lladrovci.

Elbasan Rashani shënoi në minutën e 93-të golin e fitores, pas dy golave të mëhershëm nga Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. Ndeshja kundër Bullgarisë përfundoi me rezultatin 3-2 për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Premier Ligës, Florent Hadërgjonaj është shprehur shumë i…