Ademi: VAR-i e bëri garën shumë më korrekte

13 dhjetor 2021 | 17:00

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka përgëzuar klubet për përfundimin e suksesshëm të stinorit vjeshtor të garave.

Presidenti Ademi ka vlerësuar kontributin e secilit të përfshirë në futboll për garë korrekte dhe cilësore, teksa ka veçuar sistemin VAR, si një prej risive që e ka lehtësuar punën në futbollin e Kosovës. Ai, po ashtu, ka uruar të gjithë futbollistët dhe komunitetin e futbollit në tërësi për festat e fundvitit.

“E përmbyllëm kaptinën e parë në të gjitha garat e futbollit tonë. Perdja e stinorit vjeshtor u mbyll me një ndeshje përplot emocione në Suharekë, ku u vendos skuadra lidere e BKT Superligës për pjesën e parë të garave. E ndeshjet e këtilla në këtë stinor nuk ishin të pakta, ani pse për shkak të pandemisë numri i tifozëve ishte i limituar, e në disa stadiume ende është duke u punuar për krijimin e kushteve më të volitshme si për lojtarët ashtu edhe për tifozët. Edhe ky stinor ishte i vështirë duke pasur parasysh përballjen e vazhdueshme me pandeminë Covid-19, por një lehtësim i madh për të gjithë të përfshirët në futbollin tonë ishte aplikimi i sistemit VAR në ndeshjet e BKT Superligës. VAR-i e bëri garën shumë më korrekte dhe i eliminoi gabimet në ndarjen e drejtësisë. Ishte ky një projekt i kushtueshëm, por tejet i domosdoshëm për futbollin tonë”, ka thënë Ademi.

“I përgëzoj të gjitha klubet për futbollin e shfaqur dhe garën korrekte, si dhe zyrtarët e ndeshjeve për kryerjen e detyrave në mënyrë të dinjitetshme. Shpresoj e besoj se stinori pranveror do të na sjellë garë edhe më interesante dhe emocione të pafundme me prani më të madhe të tifozëve në stadiume. Tani të gjithë futbollistëve dhe të përfshirëve të tjerë në futboll u dëshiroj pushim të këndshëm dhe ditë të lumtura për festat e fundvitit, derisa uroj që pushimin ndërmjet dy stinorëve klubet ta shfrytëzojnë për rritje të mëtejme të nivelit organizativ, në mënyrë që në pranverë të kemi garë edhe më joshëse. Në anën tjetër, FFK do të vazhdojë realizimin e projekteve të ndryshme me qëllim të përparimit të mëtutjeshëm të lojës së futbollit në të gjitha segmentet”, ka deklaruar Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çdo ditë e më shumë, Kosova po bëhet gati për…