Adnan Rexheplar pranon detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes

02 prill 2021 | 15:03

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur të premten në ditën e parë të punës, zëvendësministrin e ri të Mbrojtjes nga radhët e komuniteteve joshumicë, respektivisht atij boshnjak, Adnan Rexheplar.

Në pritje ishin të pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefja e kabinetit të ministrit, Agime Gashaj.

Me këtë rast ministri Mehaj i ka uruar mirëseardhje zëvendësministrit Rexheplar, të cilin e njoftoi me objektivat e përgjithshëm të tij për të ardhmen dhe ka shprehur vullnetin e plotë për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë gjatë udhëheqjes së tij.

Ndër të tjera ai dhe gjeneral Rama e vlerësuan shumë të rëndësishëm rolin e zëvendësministrit Rexheplar edhe në zbatimin e politikave të procesit të integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Nga ana e tij, zëvendësministri Rexheplar, ka falënderuar ministrin Mehaj dhe gjeneral Ramën për pritjen dhe gatishmërinë për ta përkrahur gjatë kryerjes së detyrave nga pozita e tij.

Ai u zotua se me të gjitha kapacitetet dhe përvojën e tij politike, intelektuale dhe profesionale do të angazhohet në realizimin e të gjitha objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në zyrat e Ligës Unike është hedhur shorti për ndeshjet…