Aeroporti i Prishtinës investon në sisteme të teknologjisë për procesimin e udhëtarëve

06 korrik 2018 | 12:24

Me qëllim të rritjes së efikasitetit në operime, mënjanimit të vonesave dhe rrjedhimisht rritjen e kënaqshmërisë së udhëtarëve, kompania “Limak” që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” tanimë ka implementuar sistemet më të avancuara për procesimin e udhëtarëve dhe të bagazheve të tyre.

“Falë sistemit Altea të Amadeus për trajtimin në tokë dhe kontrollit në nisje (DCS) si dhe sistemit të bazuar në ‘cloud’ për trajtimin e bagazheve (BRS), Aeroporti i Prishtinës ka reduktuar shpenzimet operacionale për 20 për qind vetëm gjatë dy muajve të fundit, e në të njëjtën kohë ka rritur performancën gjatë procesimit të udhëtarëve dhe trajtimit të aeroplanëve në tokë”, është bërë me dije në komunikatën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Më tej në këtë komunikatë thuhet se me rritjen e numrit të udhëtarëve, krijimin e linjave të reja dhe duke dashur t’i tërheqin kompanitë ajrore, është me rëndësi thelbësore që të zhvillohen operime të besueshme, të shpejta dhe me kosto efikase të mbështetura nga një platformë plotësisht e integruar e zgjidhjeve.

“Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur këto sisteme të Amadeus. Bashkëpunimi me Amadeus na mbështet misionin tonë për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt, si dhe për të rritur vazhdimisht cilësinë e shërbimeve tona ndaj udhëtarëve. Jam i kënaqur që falë këtyre zgjidhjeve, kostot tona operative po ulen dhe në të njëjtën kohë kemi rritur kënaqshmërinë e kompanive ajrore”, citohet të këtë thënë drejtori i Operimeve në ANP “Adem Jashari”, Gokmen Aritay.

Ndërkaq udhëheqësi i IT EMA në Amadeus, Yannick Beunardeau, ka bërë me dije se janë të kënaqur që një nga aeroportet më të suksesshme dhe inovative në Ballkan, i njohur për përsosmërinë e tij operacionale dhe përkushtimin ndaj shërbimeve të klientëve, ka miratuar zgjidhje të cilat më tej e përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e operarimeve kryesore të aeroportit. “Këto përmirësime tashmë po e ulin koston dhe mundësojnë një përvojë më pak stresuese për udhëtarët”, ka deklaruar Beunardeau.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…