Aforizma për diplomatët dhe strategët (V)

05 prill 2019 | 15:09

Prof. Lisen Bashkurti

– Strategjia është sintezë e politikës së forcës, ndërsa diplomacia është sintezë e forcës së politikës.
– Strategët mburren me politikën e forcës, ndaj krenaria e tyre kulmore është fitorja e luftërave, ndërsa diplomatët mburren me fuqinë e politikës, ndaj krenaria e tyre kulmore është triumfi i paqes.
– Njerëzimi ka memorizuar më shumë luftërat e mëdha dhe strategët e tyre dhe më pak paqet e mëdha dhe diplomatët e tyre.
– Strategët kujtohen edhe për luftëra shumë të padrejta, ndërsa diplomatët harrohen edhe për zgjidhje shumë të drejta, sepse njerëzimi nuk e harron të keqen, ndërkohë që të mirën e harron.

– Strategët dhe diplomatët kanë kuptim të ndryshëm për jetën. Për strategët miliona të vrarë në luftëra janë thjeshtë numra, e për pasojë të pakonsiderueshëm, për diplomatët edhe një jetë e vrarë në paqe është humbje e madhe dhe për pasojë shumë e rëndësishme.
– Edhe një jetë njerëzore e humbur në paqe ka mjaftuar për shpërthimin e luftërave të mëdha, ndërkohë që janë dashur miliona jetë të humbura në luftëra për t’i ndalur ato, sepse e keqja vjen shumë shpejt, ndërsa e mira vjen ngadalë.

– Strategët e luftërave jodomosdoshmërisht janë edhe strategët e paqes, prandaj në jo pak raste fituesit e mëdhenj të betejave luftarake janë humbësit e mëdhenj të betejave diplomatike.
– Gjergj Kastrioti Skënderbeu çmohet si strateg i madh ushtarak, kur në fakt kapaciteti më i madh i tij shkëlqeu si diplomat, kjo sepse çlirimi i Shqipërisë u arrit nga aftësia e tij diplomatike për të bashkuar princat shqiptar të kohës dhe paqja çerekshekullore e vendit u garantua nga aftësia diplomatike për aleanca të shumta dhe dinamike me fqinjët dhe aleatët e kohës.
– Gjergj Kastrioti Skënderbeu dëshmon se popujt e vegjël kanë nevojë për strategë dhe diplomatë të mëdhenj, që të kompensojnë me anë të tyre atë që u mungon objektivisht.

– Bonaparti ishte strateg i jashtëzakonshëm, fuqia e të cilit e futi gjithë Evropën në një burg të madh Kontinental, por ishte diplomat i vogël, dobësia e të cilit nuk e shpëtoi dot veten nga një burgu i vogël Ishullor.
– Strategu gjenial Bonaparti në pikëkthesën e fatit të tij historik mbivlerësoi kryespiunin Fushe, të cilin lypej ta injoronte dhe injoroi kryediplomatin Talejran, të cilin lypej ta konsideronte, duke e kthyer kështu balancën gjeostrategjike në teatrin e luftës kundër vetvetes dhe Francës.
– Strategu i bashkimit të Italisë, Garibaldi kur fitoi luftën me fuqinë e shpatës ia dorëzoi shpatën e tij fuqisë së politikës, duke ngelur kështu hero i admirueshëm nga strategët dhe e respektuar nga diplomatët.

– Otto von Bismarku sintetizoi si askush tjetër në vetvete politikën e forcës si strateg dhe forcën e politikës si diplomat.
– Otto von Bismarku arriti të bashkojë Gjermaninë me politikën e forcës dhe të mënjanojë aleancat armiqësore kundër saj me forcën e diplomacisë, duke siguruar kështu paqe në Gjermani dhe paqe në Evropë.
– Pasardhësit gjermanë të Otto von Bismarkut mbivlerësuan politikën e forcës dhe nënvlerësuan forcën e diplomacisë, duke rrezikuar kështu paqen në Gjermani dhe paqen në Evropë.
– Çërcilli më mirë se kushdo tjetër në historinë moderne të njerëzimit i njihte dobësitë e Kombit të vet dhe i çmonte fuqitë e armiqve të tij.

– Çërcilli i bazuar në qasjen e tij kritike u mbështet te fuqia e politikës së vet për të thyer politikën e forcës të kundërshtarëve dhe ia arriti që me plumba prej letre të mposhte plumbat prej hekuri.
– Strategët ushtarakë me kapacitet edhe diplomatik kanë vlerësuar kohën si elementi më i çmuar për të arritur qëllimet finale, duke lënë pas mësimin e madh ‘kërkoni kohë që të korrni fitore’.
– Luftërat më së shumti varen nga fuqitë sasiore, ndërsa negociatat më së shumti varen nga fuqitë cilësore. Ndërsa të parat fitohen me energji fizike e sakrifica të shumta, të dytat mund të fitohen vetëm me energji mendore dhe inteligjencë të lartë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunë së Gjilanit, ka…