Aforizma për politikanët që dëgjojnë (II)

29 mars 2019 | 11:18

Prof. Lisen Bashkurti

– Çdo shoqëri krijon me kohe modelet e veta politike që i prijnë zhvillimit. Por me kalimin e kohës edhe modelet më të arrira ç’vlerësohen. Prandaj, modeli politik që sot është i kohës, nesër del jashtë kohe. Kësaj dukurie nuk i shpëtojnë as liderët si personalizime të modeleve politike.
– Nëse, për arsye të ndryshme një politikan nuk i ndihmon dot të tjerët me suksesin e tij, lypet të jetë i kënaqur që i lë trashëgimi gabimet e tij për të mos u përsëritur nga pasardhësit.
– Njerëzit lypet t’i ruhen politikanëve që premtojnë shumë sepse pa pikë dyshimi janë gënjeshtarë të mëdhenj.
– Një politikan që fillon të mendojë për veten e vet se është i pathyeshëm, lypet ta kuptojë se ka hyrë në fazën e rënies së tij të pashmangshme.
– Në politikë, deliri i madhështisë të shpie në butafori që prodhohet nga mbivlerësimi i vetvetes dhe nënvlerësimin i të tjerëve.
– Madhështia e një politikani qëndron jo në atë që mendon ai për veten e vet, por në atë që të tjerët mendojnë për të.
– Njeriun e politikës shpesh herë nuk e thyejnë armiqtë e shumtë, të cilët në jo pak raste e forcojnë. Njeriun e politikës shpesh herë e thyejnë miqtë e pakët, të cilët në shumicën e rasteve e dobësojnë.
– Në politikë humbja e miqve vjen në çdo rast prej gabimeve të vetë politikanit, ndërsa rritja e armiqve në ndonjë rast mund të vij edhe për shkak të sukseseve të tij.

– Një politikan vdes politikisht jo sepse e thërret vdekja, por sepse e godet jeta.
– Arroganca politike në demokracinë liberale është në thelb shprehje e politikanit kompleksiv, që me anë të saj përpiqet të mbulojë paaftësitë, dobësitë dhe dështimet e tij.
– Arroganca e politikanit rrënon marrëdhëniet njerëzore, që përbëjnë themelet afatgjate të suksesit dhe të trashëgimisë së të tij. Pra, sjellja arrogante është vetëvrasje politike.
– Një politikan i fuqishëm nuk e demonstron forcën ndaj të popullit, opinionit publik dhe medias. Ndaj atyre demonstron vetëm qetësi, qetësia e mban fuqinë politike nga brenda dhe reflekton butësi nga jashtë.
– Politikani arrogant i trembet transparencës, prandaj i kundërvihet opinionit publik dhe medias, duke tërhequr kështu përbuzjen e tyre dhe duke thurur vetëizolimin.
– Politikani arrogant përfundon në paranojak, sepse jashtë vetes së tij të gjithë i duken armiq e, kur nuk ka të tillë i shpik vetë ato.

– Politikani arrogant mbështetet vetëm tek servilët dhe mediokrit që janë patericat më të paqëndrueshme të pushtetit të tyre.
– Politikani arrogant kur e sheh se nuk hyn dot në histori me vepra të humane të mëdha, tenton të hyjë në gjeografi me vepra materiale të vogla.
– Politikani arrogant prodhon dukuri dramatike për të tjerët, por përfundon në mënyrë komike për veten e vet.
– Politikani arrogant tenton të fusë nën kontroll gjithçka, por me këtë veprim në fakt humbet kontrollin mbi çdo gjë.
– Politikani arrogant sundon me goditjen e pushtetit nga lart-poshtë, por në fund të fundit bie prej goditjes së pushtetit nga poshtë-lart.
– Politikani arrogant është butaforik sepse duket madhështor, por është i vogël; duket i fuqishëm, por është i dobët; duket trim, por është frikacak; duket intelektual, por është mediokër; duket afatgjatë, por është jetëshkurtër; duket tragjik, por është komik.

– Një lider politik quhet i mbaruar kur e humbet moralitetin. Moraliteti nuk është i matshëm përherë me numra, por më së shumti me vlera. Vlerat janë më të pakta se numrat, por ato peshojnë më shumë. Numrat shkojnë e vijnë, vlerat mbesin. Numrat blihen e shiten, vlerat kurrsesi.
– Një lider egoist që nuk bëhet dot atraktiv me idetë e tij thelbësore, tenton të bëhet i tillë me performancën e jashtme sipërfaqësore.
– Një politikan pa filozofi politike nuk zotëron dot batutat politike, por luan me politikë batutash. Batutat politike shprehin mprehtësi dhe humor. Politikat e batutave shprehin mediokritet dhe vulgaritet.
– Politikani pa statistikë është dogmatik, sepse politika pa statistikë është dogmë. Mungesa e statistikës shpreh lakuriqësinë e mendimit politik dhe përpjekjen për manipulimin e tij.

– Politikani që vrapon mbas politikave ditore dëshmon se nuk ka qëllim madhor në destinacionin e tij afatgjatë.
– Në punët dhe jetën publike të politikanit paraqitja e jashtme nuk bëhet nisur nga shijet dhe kënaqësitë personale, por nga etika dhe estetika në marrëdhëniet publike.
– Kujdesi dhe frika e bëjnë politikanin që të jetë vigjilent. Por, ndërsa kujdesi tregon karakterin e fortë dhe zgjuarsinë e politikanit, frika tregon karakterin e dobët dhe mediokritetin e tij.
– Politikani i mençur di të dallojë respektin dhe mirësjelljen nga nënshtrimi dhe servilizmi. Politikani që i ngatërron këto dy anë të kundërta të karakterit njerëzor nuk i dallon dot miqtë nga armiqtë.
– Politikani i mirë ngandonjëherë e fsheh të vërtetën, por vetëm me qëllim që ta ruajë atë nga gënjeshtrat.
– Për politikanin e mirë të vërtetat e hidhura janë më të vlefshme sesa gënjeshtrat e sheqerosura. Të vërtetat mund ta hidhërojnë politikanin për momentin, por gënjeshtrat e hidhërojnë atë për gjithë jetën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi senegalez, Sadio Mane, është dëshirë e skuadrës së Real…