Agim Aliu, ky dalzotës i Ferizajt

09 korrik 2021 | 12:35

Po me duhet ta përsëris një shkrim te vitit 2013 për një figurë qe nuk i demantoi parashikimet e mia. Kush ka durim le ta lexoje! Respekt kryetarit aktual te Ferizajt Agim Aliut dhe ekipit te tij, ka shkruar Faruk Tasholli në postimin e tij në “Facebook”.

Shkruan: Faruk Tasholli

Me një të folur shqip të kultivuar, me një kthjelltësi dhe vizion të qartë intelektual, pa kompleksin e inferioritetit historik e kombëtar, jo euforik, i sprovuar familjarisht dhe personalisht me ngjarjet madhore kombëtare, Agim Aliu, një burrë i pashëm dhe i urtë, reflekton modelin modern të politikanit kosovar që tash ri garon për kryetar komune në Ferizaj. Ai nuk ndalet te meritat e shumta biografike personale e familjare, as e përfill diskursin e injorancës dhe intrigës së ulët politike, që kohët e fundit riprodhohet në Kosovë. I ngritur dhe i edukuar shëndetshëm, ai nuk zbret nga vizioni elitë politik, që synon evropianizimin e një qyteti vital, me resurse të mjaftueshme njerëzore në të gjitha fushat e jetës. Familja e Agim Aliut dhe ai vetë në mbamë ndjen njëqindvjeçare të Kosovës, u gjendën në anën e historisë së ndritshme. Edhe kur nuk patën mundësi të ndryshojnë diçka, pranuan sakrificën për ta ruajtur së paku fytyrën e kombit. Tash, pasardhësi i familjes Aliu, i radhitur në PDK, si ishte dalzotës i Ferizajt në luftë, bëhet dalzotës i këtij qyteti në paqe.

Kur më shkoi mendja ta bëja me pak fjali një portret politik për Agim Aliun, domosdo që u ktheva 100 vjet mbrapa, duke shpaluar kujtesën historike të ambientit dhe të familjes nga vjen ai. Së pari m’u shfaqën rrëfimet për qëndresën kombëtare të familjes, e cila pësoi tragjedi nga pushtuesit serbë, pikërisht në atë vit të mbrapshtë 1913, kur bandat shtetërore serbe shfrytëzonin çdo favor politik ndërkombëtar për ta shfarosur popullin shqiptar. Ato zgjedhin, natyrisht, familjet më me ndikim, për t’i mposhtur edhe fizikisht. Kështu ndodh edhe me familjen e këtij politikani të sotëm para 100 vitesh ne fshatin Balaj. Viset etnike shqiptare të copëtuara nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me ndihmën e Rusisë, u bënë pre e fqinjëve sllavë dhe për t’i përvetësuar këto vise, shteti serb nisi formacionet ushtarake ndëshkuese drejt shqiptarëve. Në fshatin Balaj, njërin nga fshatrat më me ndikim të fillimshekullit XX, ku e përcaktonte vetë pozicioni gjeografik, një formacion ushtarak serb ia mësyu familjes Bozhaj që përbëhej nga disa vëllazëri. Formacini në fjalë, preu, griu e copëtoi burrat e kesaj familjeje si: Haxhiheti Ahmet Ademin, Mullaramadan Ademin, Adem Ademin, Bajrush Ademin, Musli Ademin, Haxhi Isuf Aliun, Shaban Aliun, Bajrush Aliun, Ali Aliun, Haxhi Sali Sadikun, Mulla Ajet Sadikun, Qerim Sadikun, Mustafë Ramadanin, Zejnullah Ramadanin, Xhemail Sahitin dhe Rexhep Sahitin. Pas tragjedisë dhe plojës familjare, ishte një grua e fortë aty, e quajtur Vahide, bijë e Cakolëve te Zaskokut, që edhe pse i ishin prerë djemtë, në të njëjtën ditë, mblodhi fëmijët e familjes që po dënesnin dhe u shtroi bukë. Ajo me gratë e tjera u kujdesën që me jetimët rreth vetes të mund të mëkëmbnin familjet, në atë tokë të butë e të pëlleshme rrëzë maleve.

Për njëqind vjet, si në gjithë Kosovën, erdhën e u ndërruan pushtetet, ku dominimin e kishin sllavët, e në këtë rast serbët. Familjet e fshatit Balaj, që pësuan në vitin e mbrapshtë, asnjëherë nuk u mashtruan që të bëhen pjesë e këtyre pushteteve, edhe pse tek-tuk ofronin privilegje për njerëzit që bëheshin pjesëtarë të tyre. Fundi i viteve tetëdhjetë në Kosovë, kur hegjemonia serbe e kishte rimarrë vetveten duke shuar çdo institucion shqiptar, ngjante me vitet e fillim shekullit, ku projektoheshin maskara, kufizimi i jetës dhe depërtime të shqiptarëve nga trojet etnike. Në këtë vazhdë bëhet edhe shuarja e asaj Autonoimie të Kosovës duke shtrënguar deputetët e Kuvendit të Kosovës për heqjen e subjektivitetit të Kosovës në Federatën e Jugosllavisë. Forca të shtuara policore, njësi të blinduara ushtarake, agjentë policorë të ardhur nga Serbia, e kishin ngulfatur Prishtinën. Të gjithë e dinin epilogun: heqja e autonomisë dhe shtrirja e pushtetit absolut serb mbi shqiptarët. Ditën e 23 marsit 1989, kur ndodhi akti i suprimimit të autonomisë, e gjithë Kosova u hesht si në ditë zie. Asnjë pipëtimë. Koka të ulura përdhe.

Për ta treguar zëshëm mospajtimin publik, për të mos e ulur kokën para një pushtuesi që po vinte, gratë e familjes Aliu, të prira nga vajza energjike dhe e mbrujtur me ide kombëtare, Sanie Aliu (motra e Agimit) , ia mësyjnë Ferizajt, pa llogaritur pasojat dhe praninë e shtuar të policisë në Kosovë. Atë pasdite Ferizaj u mbush plot dhe i tregoi botës se Serbia e dhunoi Kosovën institucionalisht. Demonstrata shpërndahet me forcë, por edhe forca morale shqiptare ngritët mbi tanket serbe. Të njëjtën natë, forcat ushtarake nga Korpusi i Shkupit në një anë dhe nga ai i Nishit në anën tjetër, me tanke e artileri, defilojnë me zhurmë rrugëve të Kosovës për ta nënshtruar një popull. Por liria e brendshme tash nuk shuhej. Dihet si rrjedhin vitet e pushtimit pastaj dhe në familjen Aliu vjen një djalë i pjekur që lufta për ta dëbuar pushtuesin e egër, e gjen brenda formacioneve çlirimtare të UÇK-së. Ushtari dhe intelektuali i ri, krah për krah me shokët, dalzotësit e Kosovës, nuk e lëshon pushkën dhe nuk e ndal veprimin luftarak deri në çlirimin e Kosovës. Pasardhësi i familjes së masakruar njëqind vjet më parë, vetëm në liri konkurron për pjesëmarrje në pushtet, duke u munduar të ndërtojë shtet, nga komuna e tutje.

Ferizaj si pjesë shumë strategjike e Kosovës, që nga viti 1878, u bë qendër kur reflekton lavdia kombëtare. Qoftë ne luftërat e Lidhjes së Prizrenit, qoftë në Kuvendin e 1908-tës që i parapriu Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, qoftë në luftën për dëbimin e komunistëve sllavë në Luftën e Dytë dhe në demonstrimet e vazhdueshme për liri e pavarësi, në asnjë etapë, nuk bëri gabime historike për turp. Një gabim historik nuk besoj ta bëjë as tash, kur kreun e tij synon një njeri i formuar me format të lartë intelektual dhe kombëtar, me një traditë të bujshme familjare. E ardhmja evropiane e Ferizajt, natyrisht, ka pse të mbështetet në figurën e Agim Aliut. Dalzotësi i fatit të kombit në luftë, i nënshtruar ndaj sakrificës më sublime, më lehtë e i përballon sfidat për zhvillimin e qytetit dhe rajonit në paqe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka deklaruar se…