Ahmeti: Ata që e duan Maqedoninë në NATO dhe BE do të votojnë pro referendumit

17 gusht 2018 | 15:09

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti është shprehur i bindur se të gjithë ata që duan një Maqedoni të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE) do të përkrahin referendumin e 30 shtatorit, përfshirë këtu edhe opozitën, pasi që integrimi euroatlantik i vendit është përcaktim edhe i tyre.

Ahmeti këto komente i ka bërë gjatë takimit me ambasadorin holandez në Maqedoni, Vauter Plomp, me të cilin ka diskutuar rreth integrimit euroatlantik, referendumit të 30 shtatorit, sundimit të ligjit, etj.

Ahmeti ka njoftuar ambasadorin Plomp rreth përgatitjeve të Bashkimit Demokratik për Integrim për rrumbullakësim të suksesshëm të rrugës euroatlantike nëpërmjet të zbatimit të referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese.

“Sa i përket reformave, sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, BDI-ja ka vendosur praktikë unike në vend duke ftuar dhe mbështetur organet që të hetojnë çdo pretendim për korrupsion dhe njëkohësisht inkurajon edhe partitë tjera të bëjnë të njëjtën”, citohet të këtë thënë Ahmeti.

Ahmeti ka theksuar se rruga e vetme për rajonin është pajtimi dhe integrimi i plotë euroatlantik me zbatim të standardeve evropiane.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar kundër arrestimit…