Ahmeti: Paga minimale në Kosovë, mosrespekt për punëtorin

14 maj 2019 | 00:19

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se paga minimale në Kosovë, në sektorin privat, është mosrespekt për punëtorin.

Ai ka thënë se partia që ai udhëheq ka ftuar debat me partitë tjera në Kosovë që të ngritët paga minimale në koeficientin një edhe në sektorin privat e të mos jetë më e ulët.

Ahmeti në “Interaktiv” të “KTV”-së ka thënë se në Prishtinë, komunën që ai e udhëheq, nuk ka lejuar asnjë kontratë ku punëtorët paguhen më pak se 230 euro.

“Këtë javë kemi ftuar debat për pagën minimale që të arrijmë në koeficient 1 edhe për sektorin privat. Sot edhe në kontrata të shtetit ka sigurim që ruajnë ndonjë institucion me paga 140 apo 170. Në supermarkete janë 180. Në KEK ka pagë 140 euro e po kërkojmë rritjen në 240 euro. Në komunën e Prishtinës në asnjë kontratë të punës s’kemi lejuar të jetë më pak se 230 e sa ishte. Ka pas ankesa, por jemi mbrojtur dhe kemi thënë se është e barabartë për të gjithë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka shtuar se edhe pika e Ligjit për pagën minimale që ndërlidhet me pensionin e veteranëve të luftës mund të adresohet. Sipas tij, kjo në veçanti pas debatit për listat e rreme. Ka thënë se në Kosovë s’duhet të ketë skema të tilla pensionale.

“S’e kuptoj si mendon dikush se dikush mund të jetojë me 130 euro. Kur dikush punon më shumë se 8 orë në ditë e t’ia japësh 160 apo 180 është mosrespekt për punën e nuk mendoj se do ta rrisë koston shumë ndryshimi nëse bëhet siç duhet”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama i dha një mesazh Lulzim Bashës…